Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se Departamenti i Përgjithshëm, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurve V.M. dhe A.D., në drejtim të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.
“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 15 qershor 2022, rreth orës 22:40, në Stacionin Policor në Fushë Kosovë, të pandehurit, në cilësinë e zyrtarëve policor, në bashkëkryerje e kanë keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht një person (të dëmtuarin), në atë mënyrë që përderisa të pandehurit e kishin ndalur të dëmtuarin në qytetin e Fushë Kosovës për shkak të një kundërvajtje në trafik, të njëjtit i kishin marrë dokumentet dhe i kishin kërkuar që të vinte në stacionin policor, ashtu që, pasi kishte arritur në stacion, të dëmtuarin e kishin vendosur në një zyre dhe gjatë përpilimit të fletë-kundërvajtës, të pandehurit fillimisht e kishin fyer e pastaj të njëjtin edhe e kanë sulmuar fizikisht”.
Të pandehurit, me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit prej 48 orësh nga data 16.06.2022.