Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar se java e fundit e janarit, pritet të jetë edhe java e fundit dhe përmbyllëse e procesit të rinumërimit të 2,557 vendvotimeve, në të cilat ishte zhvilluar procesi i rregullt zgjedhor më 28 dhjetor të vitit të kaluar.
Pikërisht në këtë javë do të mbushen një muaj nga dita e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës dhe që nga ajo kohë, Kosova ka pasur numërim dhe rinumërim të vazhdueshëm.
Fillimisht, procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë u zhvillua në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe menjëherë pas tyre, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve u numëruan fletëvotimet nga votimi me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta si dhe votat nga votimi jashtë Kosovës në përfaqësi diplomatike dhe përmes postës.
Pikërisht kur gjithçka dukej se po shkonte mirë dhe KQZ pritej të shpallte rezultatin përfundimtar në një kohë rekord dhe para planifikimeve fillestare, më 13 janar ky institucion mori vendim për rinumërimin e 914 vendvotimeve, ndërkaq më 19 janar edhe për rinumërimin e 1,643 vendvotimeve tjera, duke çuar në rinumërim të përgjithshëm të të gjitha vendvotimeve.
Vendimet e KQZ-së erdhën pas dyshimeve për manipulime se në disa Qendra Komunale të Numërimit nuk janë evidentuar me saktësi votat e kandidatëve për deputetë.
Edhe 828 vendvotime presin të rinumërohen
Duke u mbështetur në të dhënat e platformës së KQZ-së për rezultate, deri në përfundimin e ditës së diele (25 janar 2026) janë rinumëruar 67.62% apo 1,729 vendvotime nga 2,557. Vetëm edhe 828 kuti votimi apo vendvotime kanë mbetur për t’u rinumëruar gjatë javës në vazhdim.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar gjatë fundjavës se “nga 13 janari, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i rinumërimit të vendvotimeve për të cilat është vendosur nga KQZ. Ky proces është duke vazhduar sipas planifikimeve dhe mund të them se KQZ është duke u përpjekur maksimalisht që gjatë javës së ardhshme të arrijë të përmbyllë rinumërimin e të gjitha vendvotimeve, 2,557 sosh”.
Sipas tij, “pas rinumërimit KQZ do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme. Natyrisht, procesi i rinumërimit i heq dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, por KQZ duhet të presë afatin për paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të procedojë me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe njëkohësisht me përmbylljen e procesit zgjedhor”.
