Qeveria e Kosovës “është treguar konstruktive dhe kreative në adresimin e brengave që ndajnë për rajonin” aleatët e saj.
Kështu u përgjigj ajo në kërkesën e Radios Evropa e Lirë për të komentuar “zhgënjimin” e shprehur të SHBA-së dhe BE-së për mosshtyrjen e zbatimit të vendimit për targat e paligjshme serbe.
“Qeveria e Kosovës është dëshmuar partnere e besueshme dhe e qëndrueshme e aleatëve, në veçanti e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat historikisht dhe tradicionalisht kemi marrëdhënie të ngushta dhe miqësore”, thuhet në deklaratën me shkrim të Qeverisë së Kosovës.
Të premten e kaluar, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti mori vendim për zbatimin e vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe me targa të Kosovës: RKS, përkundër kërkesës së ndërkombëtarëve që ky vendim të shtyhet për dhjetë muaj.
- Zbatimi i vendimit për targat, në tri faza
Vendimi nis së zbatuari më 1 nëntor në tri faza. E para është qortimi i shoferëve që vozisin makina me targa të tilla; faza e dytë është gjobë prej 150 eurosh për ata shoferë dhe e treta janë targat provuese.
Zbatimi i këtij plani do të përfundojë më 21 prill, prej kur në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS, apo Republika e Kosovës.
Kosova e ka shtyrë një herë zbatimin e vendimit për riregjistrimin e makinave më 31 korrik – po ashtu me sugjerimin e ndërkombëtarëve – pasi disa serbë lokalë në veri janë rebeluar dhe kanë ngritur barrikada.
Pas publikimit të planit me tri faza, më 28 tetor, Shtetet e Bashkuara u shprehën “të zhgënjyera dhe të shqetësuara” me mosshtyrjen e vendimit edhe për dhjetë muaj të tjerë, ashtu siç kërkuan ato. Zhgënjim të ngjashëm, një ditë më vonë, shprehu edhe Bashkimi Evropian.
Peci: Nuk ka kapacitete për zbatimin e vendimit për targat
Njohësit e proceseve politike në Kosovë kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për mosshtyrjen e afatit për riregjistrimin e makinave, por edhe për reagimin e SHBA-së dhe të BE-së.
Ish-diplomati kosovar, Lulzim Peci, aktualisht drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), thotë për Radion Evropa e Lirë se plani me tri faza i Qeverisë së Kosovës mund t’i nxjerrë në pozitë të palakueshme autoritetet e Kosovës.
“Realisht, Kosova nuk ka kapacitet që ta zbatojë këtë vendim të Qeverisë. Problemi kyç qëndron te Policia e Kosovës që nuk ka kapacitete për ta zbatuar këtë vendim të Qeverisë, sepse flasim për mijëra automjete që janë në veri të Kosovës…”, thotë Peci.
Në komunat veriore të Kosovës të banuara më shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – llogaritet se janë deri në 10.000 automjete me targa të paligjshme, që bartin akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, GL, PR, UR e të tjera.
Baliqi: Vendimi i Qeverisë, gjysmë pajtimi me palën ndërkombëtare
Bekim Baliqi, profesor i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat, por edhe reagimet e SHBA-së dhe BE-së tregojnë se palët janë racionale dhe se përpiqen të mos e përshkallëzojnë situatën.
“Kërkesa ndërkombëtare ishte jo fort e arsyeshme, sepse disa herë kanë kërkuar të shtyhet [zbatimi i vendimit të Qeverisë]. Por, në anën tjetër, edhe vendimi i Qeverisë ishte një gjysmë pajtimi me palën ndërkombëtare dhe, në njëfarë mënyre, mbase edhe presion nga ana e Qeverisë që ky 10-muajsh të mos jetë vetëm një shtyrje e radhës, por që kjo ndoshta të përcillet me aksione. Shumë me rëndësi është që ditëve në vijim të mos provokohet situata, por që me të vërtetë të kemi një mirëkuptim ndërmjet të gjitha palëve”, thotë Baliqi për Radion Evropa e Lirë.