Edhe të enjten mbahet seancë gjyqësore ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi

Edhe të enjten mbahet seancë gjyqësore ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi

Edhe këtë të enjte pritet të vazhdojë seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

Ai do të paraqitet para gjykatës nga ora 09:30, ndërsa ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Dy zyrtarë të prokurimit kanë dëshmuar të mërkurën në rastin ku për keqpërdorim të detyrës zyrtare me dy tenderë akuzohen ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ish-shefi i prokurimit Ymer Dragusha, si dhe avokati Isuf Zejna. Njëri prej dëshmitarëve tha se ishte e pashmangshme që të anulohet procedura e prokurimit për riparimin e kaldajës, pasi sipas tij nënshkrimet e operatorit nuk përputheshin.

Sipas aktakuzës, Nagip Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Ymer Dragusha, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Isuf Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, akuzohen se me veprimet e tyre i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.

Krasniqi e Dragusha akuzohen po ashtu se u kanë mundësuar përfitim të kundërligjshëm kompanive “Monting Energetika” dhe “Litwin S.A”, që ishin shpallur të papërgjegjshme në procedurën e hapur të prokurimit më herët, ndërsa për avokatin Isuf Zejna prokuroria pretendon se u përfshi në përpilimin e tenderit me negocim në vlerë 60.0000 euro, që më pas e fitoi kompania ku është aksionar.

Related Articles