Një rast i dhunimit që ka ndodhur në Podujevë u raportua nga Policia e Kosovës të enjten. Telegrafi mëson se viktima është e mitur rreth 16-vjeç, ndërsa i dyshuari i moshës madhore rreth 31-vjeç.
Ky i fundit është ndaluar për 48 orë dhe ndaj të njëjtit Prokuroria Themelore në Prishtinë ka parashtruar kërkesën në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit.
Kështu bëri të ditur zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.
“Rasti ka ndodhur më 23 janar 2023, ndërsa është raportuar nga prindi i viktimës një ditë më vonë. I dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij Prokuroria Themelore në Prishtinë ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, tha Ulaj, duke shtuar se hetimet janë duke vazhduar.
Ndërkaq, në raportin policor u bë e ditur se viktima është dërguar në strehimore.
“DHUNIM – Podujevë 23.01.2023 – 01:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje, ndërsa viktima është dërguar në strehimore”, thuhej në njoftimin e policisë.
Ndryshe, të enjten policia ka njoftuar edhe për një rast tjetër të dhunimit që ka ndodhur në Pejë.
Siç u bë e ditur, rasti ka ndodhur në vitin 2022, por nuk janë dhënë detaje të tjera.
E nga Prokuroria Themelore në Pejë kanë bërë të ditur për Telegrafin se i dyshuari është i mitur dhe se i njëjti është ndaluar për 24 orë.
“I dyshuari i mitur është ndaluar për 24 orë. Janë duke u zhvilluar hetime intensive”, ka thënë shkurt zëdhënësi i prokurorisë, Shkodran Nikçi, duke shtuar se nuk mund të japë detaje të tjera për shkak të ndjeshmërisë së rastit.
Ndërsa, Telegrafi mëson se edhe viktima e këtij rasti është e mitur.