Agjencia e Statistikave të Kosovës përmes raportit të fundit ka njoftuar se çmimi i qumështit, vezëve dhe mjaltës ka shënuar ngritje për 4. 7 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2024 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ekonomistja Yllnore Bytyqi – Shala, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka paralajmëruar se në bazë të këtij trendi që është duke u zhvilluar aktualisht në vendin tonë rritje të çmimeve pritet të ketë në vitet pasuese.
“Në bazë të trendëve ekonomike në 3 mujor-shin e fundit të këtij viti bazuar edhe në ndikimin e inflacionit që është dy shifror mund të nxjerrim kolaudimin që rritja e çmimeve do të jetë rreth 20-25% të vlerës së saj, dhe ky trend do të jetë prezent edhe në vitet pasuese 2025-2026 dhe 2027”, tha Bytyqi-Shala.
Tutje ekonomistja ka shtuar se “mungesa e një strategjie nacionale ekonomike që do të vendoste në qendër interesin qytetar po ndikohet që shporta familjare do të jetë e atakuar dhe do të jetë e vështir për të kaluar situatën që do të paraqitet”.
“Prandaj në këtë fazë të inflacionit duhet të mendojmë që Kosova të krijoj monedhën e saj për të ndihmuar bazën shoqërore (familja) që llogaritet të jetë 70% e ngarkesës ekonomike për shtetin”, deklaroi Bytyqi-Shala për “Enigmën”.
Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rënie për 6.3 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.
Në TM3 2024, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rënie për 9.6 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.
“Indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 4,7 për qind. Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rënie për 6.3 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023”, thuhet në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale.
Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.
Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale.
Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve.
Ndërsa, në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë.
Pas rritjes së çmimeve të disa produkteve kanë reaguar edhe shumë qytetarë nëpër rrjete sociale. /Gazeta Enigma/