EKSKLUZIVE: Raporti 25 faqesh i ish gjyqtarit të EULEX: “Rasti Kleqka” kishte për qëllim ta largonte nga jeta politike Fatmir Limajn

EKSKLUZIVE: Raporti 25 faqesh i ish gjyqtarit të EULEX: “Rasti Kleqka” kishte për qëllim ta largonte nga jeta politike Fatmir Limajn

Më 3 qershor të këtij viti, kreu i Qeverisë së Kosovës, ka pranuar një dokument prej 25 faqesh nga ish gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons. Në këtë dokument Simmons flet lidhur me dëshmitë e tij për skandalet e pretenduara nga ai që janë kryer nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Në këtë dokument, të cilin e ka siguruar Gazeta “Enigma”, dokumentohet se si prokurorët e EULEX-it ua kishin dërguar dosjet e “krimeve të luftës” autoriteteve të Serbisë, por edhe kishin udhëtuar disa herë drejt shtetit serb.

“Para caktimit tim si Kryetar të gjyqtarëve te EULEX-it unë kam qenë dijeni për diskutimet brenda EULEX-it në lidhje me transferimin e dosjeve tek autoritetet prokuroriale të Serbisë. Këtu janë përfshirë dosjet e EULEX-it të marra nga UNMIK-u. Unë gjithashtu kam qenë në dijeni për bisedimet e vazhdueshme ndërmjet prokurorëve të EULEX-it dhe prokurorëve të Serbisë. Në të vërtetë prokurorët e EULEX-it kanë udhëtuar në Serbi në shumë raste për t’i diskutuar lëndët me prokurorët e Serbisë”, shkruan Simmons.

Ndër të tjera, Simmons, që në vitin 2013 ishte kryetar i trupit gjykues në rastin e njohur si ‘Kleçka’, ndaj Fatmir Limajt, thekson se nga takimet e udhëheqjes së lartë të EULEX-it në të cilat kishte marrë pjesë, ishte e qartë që ndjekja penale e këtij rasti ishte me rëndësi për angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë në dialogun Beograd-Prishtinë.

“Misioni ishte i vendosur ta dënonte Fatmir Limajn, dhe çka është më me rëndësi, ta largonte nga jeta politike. Misioni duhej ta bindte Serbinë që nuk i përfaqësonte thjesht vetëm interesat e shqiptarëve të Kosovës”, theksohet në raport, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.

Por, sipas tij, kur gjykimi i parë përfundoi dhe trupi gjykues, i udhëhequr nga një gjyqtar i Gjykatës së Kurorës të MB, konstatoi që nuk kishte prova të mjaftueshme kundër të akuzuarve u shfaqën pakënaqësi të mëdha brenda këtij misioni.

“Gerrit Sprenger, zëvendëskryetar i gjyqtarëve të EULEX-it nuk humbi kohë për ta shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me shfajësimet në rastin “Kleçka” dhe faktin që, sipas fjalëve të tij, “shtetet anëtare prisnin dënime”.

“Kur u bëra kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it më 2014, zbulova që me dhjetëra dosje të krimeve të luftës u ishin dorëzuar autoriteteve prokuroriale në Serbi. Kishte hetime lidhur me mizoritë e pretenduara të kryera nga personat e përkatësisë etnike serbe gjatë konfliktit”.

Gjyqtari britanik shton se udhëheqja e misionit i ka thënë më shumë se një herë që “po të mos e rrisnim numrin e dënimeve, shtetet anëtare nuk do të kishin mundësi ta arsyetonin shpenzimin e madh dhe të gjithë do ta humbnim punën. Në të vërtetë, auditimet e misionit gjithmonë përqendroheshin në numrin e dënimeve”, vazhdon ai.

“Kur u caktova në trup gjykues, më 2013 Charles Smith më informoi që misioni “varej shumë” nga “rezultati i këtij rasti. Ai tha që misioni “priste dënime”.

Në dokument po ashtu theksohet se sipas Simmons, misioni i EULEX, nuk ju besonte gjyqtarëve vendor. “Ekzistonte një perceptim i përhapur brenda Misionit se nëse gjyqtarët vendorë kishin qasje në informata të ndjeshme ata do të shpalosnin një informatë të tillë. Gjithashtu ekzistonte ndjenja se gjyqtarët vendor nuk do ta shpallnin fajtor ndonjë ushtar të UÇK-së apo ndonjë të pandehur të profilit të lartë me origjinë shqiptare”, thuhet në dokument.

Ish-gjyqtari i EULEX-it, në raportin e tij ka treguar edhe për joshjen e dëshmitarëve për t’i dërguar që të jetojnë në shtetet e ndryshime të Evropës, në mënyrë që të dëshmonin rrejshëm.

“Shumë dëshmitarë të prokurorisë, disa prej të cilëve ishin nën masa të mbrojtjes, pohuan që EULEX-i iu kishte premtuar atyre dhe familjeve të tyre që do të zhvendoseshin në një shtet evropian nëse ofronin prova për prokurorinë. Në disa raste, këto raporte keqpërdoreshin. U bë ftesë për falsifikimin e provave dhe për gënjeshtra”, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.

Dëshmi tjetër që Simmons i ka ofruar Kurtit, lidhet edhe me komunikimet mes gjyqtarëve, ku në një rast sipas Simmons, njëri nga të akuzuarit në rastin “Drenica”, ishte cilësuar si “kafshë”. “Gjatë fazave të hershme të gjykimit hëngra darkë me gjyqtarët Seilicki dhe Adamska në një restorant në periferi të Prishtinës. Gjatë takimit gjyqtari Sielicki i përshkruajti të pandehurit në Drenicë si “kafshë” dhe shqiptarët si “të lindur”.

Kujtojmë se për disa herë radhazi, ish gjyqtari Simmons ka kërkuar të raportoj në Kuvendin e Kosovës, për faktet që sipas tij ai i ka lidhur me keqpërdorimet e EULEX. Një kërkesë e tillë, nuk ka marrë përgjigje nga organet kompetente të Kosovës, të cilat nuk janë deklaruar për këtë çështje.

Ndërkohë Simmons, është vazhdimisht aktiv në rrjetet sociale, ku flet për këto keqpërdorime që sipas tij janë bërë.

Për më shumë, dokumentin e siguruar nga Gazeta “Enigma”, mund ta shkarkoni në linkun e mëposhtëm.


Related Articles