Ekspertët e shëndetësisë thonë se Qeveria Kurti nuk e ka trajtuar asnjëherë shëndetësinë si prioritet

Ekspertët e shëndetësisë thonë se Qeveria Kurti nuk e ka trajtuar asnjëherë shëndetësinë si prioritet

Më 6 tetor Rifat Latifi dha dorëheqje nga posti i Ministrit të Shëndetësisë pas presionit të madh që pati nga mediat dhe opozita.

Që nga 6 tetori e deri tani kjo ministri ka mbetur pa zot shtëpie, pasi kryeministri Kurti ende nuk e ka emëruar ministrin e ri.

Gazeta Enigma ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës për të pyetur se kur do të emërohet Ministri i ri i Shëndetësisë, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka pranuar përgjigje.

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti kishte dalë me vendim për formimin e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi, pas kritikave të vazhdueshme në adresë të Latifit, se s’po bën asgjë në këtë sektor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ish-ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi

Në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur më 14 shtator, Kurti kishte thënë se gjendja aktuale në shëndetësi kërkon veprim urgjent dhe se për këtë arsye po krijohet ky komision.

Që nga formimi i tij ky komision është mbledhur katër herë.

“Qeveria jonë e ka gjetur shëndetësinë në një gjendje të rënduar. Shëndetësia është një domen i shtrirë ndër shumë sektorë e instanca. Qasja e fragmentuar nuk është treguar efikase dhe sot jemi para një situate që na kërkon veprim urgjent, ekspeditiv dhe me qasje të integruar shumë sektoriale. Për këtë qëllim si kryeministër i Kosovës propozoj që të themelohet komisioni ekzekutiv për shëndetësi, për zbatimin e masave urgjente që do të sigurojnë funksionimin normal të sistemit shëndetësor me bazë në sistemin publik dhe do t’i hap rrugë reformës në shëndetësi”, kishte thënë Kurti.

Ai kishte folur edhe për përgjegjësitë që do të ketë ky komision.

“Ky komision ka këto përgjegjësi, pas një diskutimi preliminar që kemi zhvilluar së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifin: e para të bëjë analizën dhe definimin e ndarjes dhe bashkëpunimit publiko privat në shëndetësi. E dyta zhvillimin e sistemit informativ në shëndetësi, me theks atë për sigurimet shëndetësore. E treta reformimin e SHSKUK-së përmes fuqizimit të QKUK-së dhe spitaleve rajonale. E katërta zhvillimin e sektorit publik të shëndetësisë, në kuptim të ngritjes së kapaciteteve të shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor. E pesta themelimin e Spitalit Rajonal të Prishtinës dhe e gjashta ndërveprimi me pesë odat e profesionistëve shëndetësor”, deklaronte Kurti.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu

Në lidhje me këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar edhe me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiun, i cili aktualisht është edhe pjesë e Komisionit Ekzekutiv të Shëndetësisë.

Në lidhje me gjendjen aktuale në vend ai tha se duke pasur parasysh që dy pozitat kyçe në shëndetësi ajo e ministrit dhe pozita e drejtorit të ShSKUK-së janë me ushtrues detyre kjo tregon papërgjegjësi nga Qeveria Kurti.

Sipas Haxhiut kjo gjendje tregon papërgjegjësitë e Qeverisë Kurti dhe të vet Kurtit në këtë sektor.

‘’Realisht kjo është papërgjegjësi me situatën në shëndetësi kur dihet se dy pozitat kyçe në sektorin e shëndetësisë, ku pozita e ministrit dhe pozita e drejtorit të ShSKUK-së që të dyja janë me ushtrues detyre’’, tha Haxhiu.

‘’Kjo tregon një papërgjegjësi të Qeverisë Kurti dhe të vetë Kurtit në sektorin e  shëndetësisë. Kur është emëruar dhe është themeluar ky Komision Ekzekutiv për Shëndetësi, ku Kurti ka emëruar veten, ka dashur me i mbulua dështimet në sektorin e shëndetësisë dhe në fakt të ia bart kompetencat ministrit Latifi, ku me këtë komision të urojë atë që jep dorëheqje për shkak të dështimeve në sektorin e shëndetësisë të cilat kanë ardhur si pasoj e grupeve të interesit brenda Vetëvendosjes’’, ka deklaruar Haxhiu për Enigmën.

E gjithë kjo situatë me shëndetësinë në vendin tonë sipas Haxhiut ka ardhur si pasojë e grupeve të interesit brenda Vetëvendosjes.

Tutje ai ka shtuar se ‘’shëndetësia jonë një prioritet i premtuar i Kurtit është shndërruar në një sektorë të përplasjeve dhe e grupeve të interesit brenda LVV-së’’.

Haxhiu: Mos emërimi i deritashëm i Ministrit të Shëndetësisë ka të bëjë me këto grupet e interesit brenda mazhurancës.

Sipas tij ‘’Lista GUXO ka shfaqur ambicie për ta udhëhequr këtë sektor, pastaj persona të caktuar brenda Vetëvendosjes gjithashtu kanë ambicie të tjera ku realisht kjo pozitë po ushtrohet nga Albin Kurti si Ministër i Shëndetësisë me një ushtrues detyre’’.

Haxhiu ka shtuar se ministri i ri duhet të ketë ambicie dhe programin e tij sepse Qeveria Kurti s’ka program për shëndetësi.

‘’Mendoj se është e drejtë që të emërohet një Ministër i Shëndetësisë, të dihet cili është vizioni i tij, cilat janë ambiciet e tij, cili është program i tij sepse për program të Qeverisë Kurti më nuk po flasim sepse s’ka program Qeveria për shëndetësi’’, tha Bekim Haxhiu për Gazetën Enigma.

Ai ka kujtuar se ‘’shëndetësia jonë është pran kolapsit, ku me dhjetëra mjekë profesionist janë duke u larguar nga vendi’’.

Krejt në fund Haxhiu ka përmendur edhe keqpërdorimet që kanë ndodhur në ShSKUK dhe se kryeministri i vendit po rri me sy mbyllur para tyre.

‘’Vetëm auditori i përgjithshëm për vitin 2021 ka evidentuar mbi 12 milion euro hajni në ShSKUK, hajni e cila ka ndodhur me barna me pajisje tjera medicinale derisa Qeveria Kurti heshtë para këtyre keqpërdorimeve’’, ka përfunduar Haxhiu.

Bujar Vitija, gazetar i shëndetësisë

Ndërsa Bujar Vitija, gazetar i shëndetësisë në një përgjigje për Gazetën Enigma ka thënë se çdo vonesë e emërimit të ministrit nënkupton vonesë të zhvillimit në sistemin shëndetësorë.

Edhe Vitija ka kujtuar se aktualisht në vendin tone të gjitha institucionet shëndetësore janë duke u drejtuar nga ushtrues detyre.

‘’Mungesa e ministrit të shëndetësisë është dëm i madh për shëndetësinë. Çdo vonesë e emërimit të ministrit nënkupton vonesë të zhvillimit të proceseve dhe projekteve në sistemin shëndetësor’’, tha Vitija.

‘’Aktualisht të gjitha institucionet shëndetësore janë duke u udhëhequr nga ushtrues detyre, duke filluar nga pozita e ministrit, drejtorit të SHSKUK-së, AKPM-së, inspektoratit, Fondit të Sigurimeve. Kjo tregon seriozitetin e kësaj Qeverie karshi shëndetësisë’’, ka deklaruar gazetari Vitija për Gazetën Enigma.

Vitija: Kjo Qeveri së paku deri më tani asnjëherë nuk e ka trajtuar shëndetësinë si prioritet.

‘’Shëndetësia i humbi më shumë se 10 muaj me një ministër që nuk arriti asnjë rezultat dhe përfundoi me dorëheqje, dhe tani po zvarritet emërimi i ministrit të ri. Kaq për pretendimet e Qeverisë se e kanë prioritet shëndetësinë. Në fakt kjo Qeveri së paku deri më tani asnjëherë nuk e ka trajtuar shëndetësinë si prioritet’’, ka përfunduar ai.

Kujtojmë se aktualisht Ushtruese e Detyrës së Ministrit të Shëndetësisë është Dafina Gexha.

/GAZETAENIGMA/

Related Articles