Eksperti i sigurisë Bedri Elezi ka vlerësuar se shkelja e hapësirës ajrore të Republikës së Kosovës nga dy dronë të ardhur nga territori i Serbisë përbën një incident serioz sigurie, me implikime të drejtpërdrejta ushtarake, inteligjente dhe gjeopolitike.
Sipas Elezit, dronët janë vërejtur në zonën kufitare të Muqivërcës, me aktivitet operacional mbi Novosellë të Kamenicës dhe stacionin policor të Breznicës, duke qëndruar statikë për rreth 30 minuta mbi zona specifike.
“Ky nuk është një akt i rastësishëm apo teknik, por një veprim i qëllimshëm i zbulimit ajror (ISR – Intelligence, Surveillance, Reconnaissance)”, ka deklaruar Elezi, duke theksuar se qëllimi i këtij operacioni ka qenë testimi i kapaciteteve të mbrojtjes ajrore dhe reagimit institucional të Kosovës, si dhe mbledhja e të dhënave mbi objektiva të ndjeshme të sigurisë.
Ai shton se njëkohësisht ky veprim dërgon një mesazh intimidues dhe destabilizues, veçanërisht në një kontekst të tensionuar rajonal.
“Fakti që dronët kanë qëndruar statikë për një kohë të gjatë tregon qartë se bëhet fjalë për platforma të kontrolluara nga distanca me mision të paracaktuar, e jo për mjete civile apo devijime aksidentale. Ky është një model i njohur i veprimeve hibride të përdorura nga Serbia edhe në raste të mëhershme”, ka theksuar Elezi, duke iu referuar edhe konfirmimeve publike të Ministrisë së Punëve të Brendshme në shtator 2025.
