Eksperti i sigurisë dhe i armëve, Fadil Kajtazi në një intervistë për Gazetën Enigma ka folur për mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia.
Kajtazi ka thënë se Rusia e ka nisur pushtimin e Ukrainës nën kërcënimin e armatimit bërthamor. Ai ka theksuar se nëse rusët nuk do të posedonin armë bërthamore intervenimi i NATO-s do të ishte I pashmangshëm.
“Me një formë, sulmi i Ukrainës po bëhet nën kërcënimin e armatimit bërthamor. Sikur rusët mos ta posedonin, sigurisht që intervenimi i NATO-s do të ishte i pashmangshëm, apo nuk do të kishte ndodhur fare sulmi rus mbi Ukrainën. Armatimi bërthamor është një kërcënim, por një mundësi e vogël për t’u përdorur. Megjithëse, profili i zotit Putin është i paparashikueshëm”, vlerëson Kajtazi.
Mundësitë për një luftë të mundshme bërthamore janë të vogla për shkak të efektit që e kanë këto armë, thotë eksperti i armëve, Fadil Kajtazi.
“Për shkak të efekteve që kanë këto armë, mundësia e përdorimit të tyre është shumë e vogël, nga se vihet në pikëpyetje ekzistenca e planetit. Bomba e hedhur në Hiroshimë ka pasur kapacitetin e 15 kilotonëve, kurse mbushjet e tanishme bërthamore arrijnë deri në 1000 kiloton. Kjo është e mjaftueshme për të kuptuar se çdo t’i ndodhte botës dhe njerëzimit nëse përdoret ky arsenal. Në anën tjetër, rrezikun e shkatërrimit masive e (bën më të mundshëm nëse vije deri të përdorimi i këtij armatimi), strategjia e përdorimit që kanë superfuqitë. Kjo strategji parasheh goditje masive mbi palën që e përdorë e para. Prandaj këta faktorë e minimizojnë probabilitetin e përdorimit të këtij arsenali”, thotë ai.
Sipas Kajtazit, jeta në tokë do të vihej në pikëpyetje nga një luftë e mundshme bërthamore.
“Realisht jeta në tokë do të vihej në pikëpyetje nga një luftë e mundshme bërthamore”, shprehet ai i shqetësuar.
Kajtazi ka treguar arsyet se përse vendet e urbanizuara nuk janë duke u goditur me raketa inteligjente. Ai tregon se për çka përdoren këto raketa inteligjente.
“Së pari, informacionet janë të kufizuara, të dyja palët janë shumë të rezervuara në dhënien e informacioneve të hollësishme. Ajo që mund të themi më këtë rast është se vendet e urbanizuara nuk janë duke u goditur më raketa inteligjente, sepse ato nuk përdorën për objektivë të tillë par shkak të kostos së lartë që kanë. Ky lloj arsenali përdorët për të goditur objektiva strategjike si baza ushtarake, aeroporte, qendra të komanduese, qendra të vëzhgimit dhe lajmërimit ajrorë etj”, tregon eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi për Gazetën Enigma.
“Sipas vështrimeve të mia, qendrat e urbanizuara po goditën me artileri klasike dhe reaktor, të cilën ruset e kanë me bollëk. Goditjet nuk janë se po të huqen objektivat, por janë të qëllimshme për të dekurajuar rezistencën”, tregon ai.
Kajtazi tregon se çfarë ndihme i duhet në këto momente nga NATO-ja dhe SHBA-të.
“Ajo që është e nevojshme tani për tani, ushtria ukrainase duhet të marr sisteme taktike dhe strategjike të mbrojtjes kundërajrore, për ta paralizuar aviacionin rus, sisteme taktike kundër blinduese, dron, dhe gradualisht ta fus në veprim artilerinë. Nga ajo që shihet, vendet perëndimore mjaftueshëm janë duke e mbështetur Ukrainën me logjistikë informative përmes satelitëve, dhe elektronike përmes radarëve të dislokuar në Poloni dhe Rumani”, vlerëson Kajtazi.
“Tani është duke u shqyrtuar mundësia e dhënies së një kontingjenti të avionëve gjuajtës bombardues MiG-29 nga Polonia. Për mua, veprimi operativ i aviacionit ukrainas është i pa efektshëm, nga shkaku se ata kërkojnë infrastrukturë përcjellëse – aeroportet, që në këto kushte është e vështirë të funksionojnë nga shkaku se rusët mundë t’i godasin me raketa bredharake ( “kalibar-NK”), si dhe me aviacion bombardues”, potencon Kajtazi.
Kajtazi e vlerëson një dështim të rusve në rrafshin operacional deri tani. Ai thotë se nëse vazhdon kështu, Rusia do të detyrohet që të nënshkruajë marrëveshjen e paqes për ndalimin e luftës.
“Deri tani, zhvillimet flasin për një dështim të rusëve në rrafshin operacional: shihet moskoordinim i veprimeve, mungesë e furnizimeve me karburant, municion, ushqim për ushtrinë. Gjithashtu, për shkak të efikasitetit të armëve taktike kundërblinduese dhe atyre kundërajrore, me të cilat vendet e NATO-s kanë furnizuar ushtrinë e Ukrainës, tanket dhe transportierët e blinduar rus, si dhe helikopterët janë jashtë funksionit. Ky lloj i armatimit duhet të jetë edhe më masiv në mënyrë që ushtria ruse të lihet e zhveshur nga mjetet e blinduara”, tregon eksperti i sigurisë.
“Nëse ngjarjet zhvillohen me këtë ritëm, humbjet e ushtrisë ruse do të jenë enorme, dhe mund të pritet që përfundimi të jetë ai që e thotë babai i teorisë së luftës Fon Kalauzeviqi se “harxhimi i forcave bëhet aq i madh, saqë nuk përputhet me vlerën e qëllimit politik, ky qëllim duhet lënë dhe duhet nënshkruar paqja”, thotë ai.
Pushtimi i agresionit rus ndaj Ukrainës ka hyrë në ditën e 16-të, duke shkatërruar shumë qytete ukrainase e duke vrarë civilë të shumtë nga bombardimet me raketa. Deri tani ka pasur disa takime mes rusëve dhe ukrainasëve, por pa një rezultat konkret./GazetaEnigma/