Ekuadori pritet të përjashtohet nga botërori “Katari 2022” të premten nga FIFA, për falsifikimin e pasaportës së një lojtari, por Kili ka më shumë gjasa se Italia ta zëvendësojë në këtë ngjarje, ka raportuar “Football Italia” të enjten.
FIFA do të marrë një vendim të premten për këtë polemikë dhe pozicioni i Ekuadorit është shumë i vështirë për t’u justifikuar. Ekuadori akuzohet se ka falsifikuar certifikatën e lindjes dhe për rrjedhojë edhe pasaportën e lojtarit Bajron Castillo për ta bërë të duket sikur ka lindur në Ekuador. Pas një ankese nga Kili, u zbulua se Castillo ishte në fakt i lindur në Kolumbi dhe nuk ka të drejtën e nënshtetësisë ekuadoriane. Në teori, Italia do të promovohej në Kupën e Botës si skuadra e eliminuar më e larta në renditjen botërore të FIFA-s. Megjithatë, ka më shumë gjasa që FIFA t’ia regjistrojë si humbje Ekuadorit ndeshjet kualifikuese ku luajti Castillo në vend që t’i përjashtojë plotësisht nga Kupa e Botës. Prandaj, kjo do ta shtynte Kilin në turne në vend të Ekuadorit, duke ruajtur kështu ekuilibrin e përfaqësuesve të Amerikës së Jugut. Castillo ka nëntë paraqitje për ekipin e Ekuadorit, duke luajtur në tetë ndeshje kualifikuese për Botërorin e këtij viti. Ekuadori është caktuar në Grupin A me Katarin, Holandën dhe Senegalin.