Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se ka qenë kërkesë e Policisë së Kosvës, që FSK-ja të shkojë në Ujman me misionin për të asistuar përmes zhytësve të saj për gjetjen e trupit.
“Procedura është e tillë që ne fillimisht vijmë në vend të ngjarjes, zakonisht ne qëllojmë të parët këtu pas qytetarëve dhe policët kanë qenë këtu në këtë parking kur ka ndodhë rasti. Ne i kemi kërkuar zhytësit që të vijnë, Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave, mandej nëpërmjet hierarkisë sonë komanduese, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ne kërkojmë asistencë për zhytës. Pastaj, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë kërkon nga FSK-ja asistencën për zhytës. Kështu që ka qenë kërkesë e PK-së që me ardhë këta njerëz këtu. Këta siç po i shihni tash janë këtu”, u shpreh Elshani për Enigmën.
Tutuje, zëvendësdrejtori potencoi se “derisa FSK shkoi në veri bashkë me KFOR-in – ku për qëllime ushtarake nuk i lejohet sipas një marrëveshje me NATO-n që e ka Kosova – “nënkuptohet vetvetiu që kanë ardhur me lejen e tyre”.
Gjithashtu, Elshani ka konfirmuar se Policia dhe barkat e tyre që ndodhen aty me pajisjet adekuate janë bashkë me zhytësit edhe me FSK-në.
“Ne kemi kërkuar gjatë gjithë kohës, por s’ishim të suksesshëm për gjetjen e tij. Shpresojmë që të paktën tash bashkë me FSK-në të gjejmë trupin në mënyrë që familjarëve t’iu largohet të paktën gjysma e dhimbjes”, tha Elshani./GazetaEnigma/