Emisarët evropianë takohen veçmas me Kurtin dhe Vuçiqin

Emisarët evropianë takohen veçmas me Kurtin dhe Vuçiqin

Në Bruksel, emisarët evropianë po zhvillojnë takime dypalëshe me krerët e Kosovës dhe Serbisë, i cili do të pasohet nga një takim trepalësh.

Fillimisht, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Më pas, ata pritën në takim presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në rundin e ri të bisedimeve për normalizimin e raporteve.

Para takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha se pret që në takimin e sotëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të diskutohet për arritjet në dialog, por edhe për nisjen e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Takimi i parë i Kurtit dhe Vuçiqitkëtë vit zhvillohet në kohën kur zyrtarët evropianë, të angazhuar në ndërmjetësimin e procesit, janë drejt përfundimit të mandatit pesëvjeçar.

Kryediplomati evropian pritet të flasë për media pas takimit trepalësh.

Josep Borrell do të shërbejë si shef i diplomacisë evropiane deri në vjeshtë, ndërsa javën e ardhshme do të dihet se kush do ta pasojë atë.

Mirosllav Lajçak është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, por do të veprojë si ndërmjetës në dialog derisa të gjendet zëvendësuesi i tij.

“Shpresojmë që të dy liderët të vijnë me vizionin dhe guximin e nevojshëm politik për ta çuar Kosovën dhe Serbinë më afër të ardhmes së tyre evropiane”, tha Lajçak një ditë përpara takimit.

Me shumë mundësi, takimi i sotëm do të jetë i fundit në kuadër të dialogut, nikoqir i të cilit do të jetë Borrell. /REL

Related Articles