Emisari i BE-së, Sorensen sot në Kosovë – Takon Osmanin e Kurtin

Emisari i BE-së, Sorensen sot në Kosovë – Takon Osmanin e Kurtin

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, sot do të qëndrojë në Kosovë, në vizitën e tij të parë prej kur mori këtë post duke e zëvendësuar paraardhësin e tij, Miroslav Lajçak.

Emisari i BE-së do të pritet në takim nga presidentja Vjosa Osmani në kabinetin e presidentes nga ora 09:45. 
Kryeministri në detyrë Albin Kurti do ta presë në takim Sorensenin në orën 10:30 në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Pas takimit me Kurtin, emisari i BE-së do të takohet edhe me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi.

Sorensen do të vizitojë Kosovën për të përgatitur vazhdimin e procesit të dialogut, në kuadër të së cilit për muaj nuk ka pasur lëvizje.

Ndër temat e para që do të mund të diskutoheshin gjatë vizitës së tij është edhe zbatimi i Deklaratës për të Pagjeturit, për të cilën palët kishin rënë dakord por takimi i fundit në Bruksel në nivel të ekspertëve kishte dështuar që të zhvillohet por që të sjellë ndonjë rezultat.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e re për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë para disa javësh se gjatë këtij muaji do të shikojnë se si do të ecet përpara në procesin e dialogut, duke përmendur po ashtu edhe faktin se ka kritika ndaj formatit të deritashëm të këtij procesi.

Në BE vazhdojnë të thonë se nuk do të heqin dorë nga kërkesat që si Kosova ashtu edhe Serbia të përmbushin të gjitha obligimet e tyre që dalin nga procesi i deritashëm i dialogut e kjo përfshinë edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash. / Gazeta Enigma.

Related Articles