Ertan Demiri ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit Sportiv të klubit të Gjilanit, shkaku i rezultateve jo të kënaqshme në ndeshjet e fundit.
Ish-futbollisti i famshëm ka qenë pjesë e strukturave të Gjilanit që nga fillimi i sezonit dhe pas rezultateve negative ka dhënë dorëheqje morale.
“Të nderuar miq dhe dashamirë të futbollit, në veçanti e nderuara kryesi e klubit SC Gjilani, tifozë, përkrahës dhe mbështetës të klubit. Pas një viti angazhim në postin e drejtorit sportiv – kur përjetuam shumë momente gëzimi, por edhe sfida në ndërtimin dhe hapërimin e klubit drejt përmbushjes së synimeve tona – për shkak të rezultateve të fundit kam vendosur të jap dorëheqje”, shkroi Demiri në një postim.
Ai tha se këtë ia ka kumtuar edhe kryetarit të klubit, Fatlum Pirevës.
“Mbi të gjitha e falënderoj Zotin e pastaj presidencën e klubit për mbështetjen dhe bashkëpunimin në drejtimin e këtij klubi të madh me tifozeri të jashtëzakonshme”, u shpreh më tej Demiri.
“Ndaj bindjen se me këtë kryetar dhe me këtë tifozëri, SC Gjilani ka para vetes një të ardhme të artë!”.
Tutje Demiri u shpreh optimist se puna e tij do të japë frytet në të ardhmen dhe do të ngelë një shtyllë shtesë drejt suksesit të klubit.
“Forca Gjilan dhe mirupafshim”, përfundoi Ertan Demiri. /Gazeta Enigma