I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili po raporton para senatorëve amerikanë në Komitetin për Punë të Jashtme, ka thënë se disa pika të marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk janë në përputhje me frymën Kushtetuese të Kosovës, megjithatë sipas tij vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e ndalon formimin e Asociacionit.
Escobar, ka bërë të qartë se SHBA-të kërkojnë që Asociacioni të implementohet sipas modelit se si arrijnë të dakordohen të dy palët, kështu duke u përgjigjur pyetjes së senatorit, Mendez, i cili ka pyetur emisarin amerikan se pse administrata amerikane po i bënë presion Kosovës që të implementojë një Asociacion përkundër faktit që Gjykata Kushtetese e Kosovës ka gjetur disa papërthueshmëri në disa pika të marrëveshje.
“Ne e përkrahim formimin e Asociacionit për shumë arsye. E para është arritur marrëveshje. Gjykata Kushtetuese i ka shpallur disa pika si jokushtetuese, por s’ka thënë se Asociacioni në vete është jokushtetues. Në dialog, u takon Kosovës dhe Sebrisë të caktojnë se si do të duket. S’duhet dhe nuk duam që të jetë e ngjashme me Republikën Sërpska”, ka thënë Escobar.
“Kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës të shohë modele se si ata besojnë se mund të duket e që s’do të minonte sovranitetin apo funksionalitetin, si mënyrë për t’i lejuar serbët të vazhdojnë të kenë mirëqenie, benefite më të mëdha e edukim në gjuhën serbe”.
“Qëllimi i dialogut është që gjithçka të lëvizet në drejtim të Kosovës, të jem i sinqertë, që të ketë përfundim me njohje të ndërsjellë e normalizim raportesh, diçka që s’e kanë. Jo vetëm status, por njohje se janë shtet i pavarur dhe sovran. Dialogu është mekanizmi dhe e ka dëshmuar se është ai që mund të heqë dallimet”.