Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dje ka qëndruar në një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut ku, përveç për politikat e brendshme të këtij shteti, ai foli edhe për politikën që ndjek SHBA karshi rajonit.
Duke folur për opozitën në Maqedoni të Veriut që dolën kundër ndryshimeve kushtetuese e të cilat janë kriter kyç për rrugën europiane të këtij shteti, Escobar tregoi se me çfarë partnerë duan të punojnë ata.
“Doja ta bëja të qartë se SHBA-ja zgjedh si partnerë në Ballkan ata që e afrojnë rajonin me Europën, ata që tregojnë përkushtimin e tyre ndaj NATO-s dhe që vazhdojnë luftën kundër korrupsionit. Kjo është pritshmëria jonë. Ajo që po ndodh tani, me mundësitë që janë paraqitur, për avancimin e statusit kandidat të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Euvropian, është pjesë e këtij procesi.
Unë nuk po kërkoj që njerëzit të mbështesin Qeverinë. Unë i kërkoj popullit – ju lutemi punoni me ne, për të mbështetur rrugën europiane, sepse do të na sjellë dobi edhe neve”, tha Escobar për mediumin 360° në Maqedoninë e Veriut.
Escobar tha se Maqedonia e Veriut është një partner shumë i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara dhe shtoi se është vendi që është i përfshirë në çdo diskutim të madh për stabilitetin rajonal dhe europian.
Ai këtu përmendi edhe rolin e shtetit fqinj për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.
“Dhe ka bërë shumë, kjo qeveri ka bërë shumë. Pra – po, unë gjithmonë kam një arsye për të qenë në Shkup, por duhet të them se pjesë e saj është se ne jemi shumë të kënaqur që procesi është i hapur.
Sepse, si partner, Maqedonia e Veriut na ka ndihmuar për Afganistanin, për NATO-n, për Rusinë, për Ukrainën, madje na ka ndihmuar të krijojmë kushte për marrëveshjen historike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ne e vlerësojmë partneritetin tuaj në NATO dhe kemi nevojë për ju. Amerika gjithashtu ka nevojë për ju në Bashkimin Europian. Të kesh një mik të tillë në një organizatë tjetër të rëndësishme, për ne një mundësi e tillë është shumë pozitive. Pra, po, jam i kënaqur që procesi është i hapur dhe jam i lumtur që jam këtu në këtë pikë.”