Escobar: Përkushtimi amerikan për Kosovën është i fortë, nuk do ta braktisim kurrë

Escobar: Përkushtimi amerikan për Kosovën është i fortë, nuk do ta braktisim kurrë

Zëvendës-ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, tha se përkushtimi se amerikan për Kosovën, për sovranitetin e saj, pavarësinë e saj, integritetin territorial dhe sigurinë është i fortë. “Dhe nuk ka të bëjë me një person dhe një parti. Partneriteti është me njerëzit e vendit dhe ne nuk do t’i braktisim ata”, tha ai.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Escobar, duke folur për Kosovën dhe Serbinë vlerësoi marrëveshjen e javës së kaluar për targat e makinave, duke e quajtur të rëndësishme për uljen e tensioneve.

“Ka qenë gjithmonë qëndrimi ynë që në vend që të merremi me këto çështje individuale që krijojnë tension të menjëhershëm, që të gjitha duhet të përqendrohen tek dialogu i lehtësuar nga BE-ja”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Escobar theksoi rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara për dialogun.

“Ky dialog i lehtësuar nga BE-ja ka një përfshirje shumë të fortë të palës amerikane. Pra, ne punojmë shumë ngushtë me partnerët tanë evropianë në krijimin e zgjidhjeve që shpresojmë se do të funksionojnë për të dyja palët, që do të punojnë në një mënyrë evropiane që do të integrojë të dyja palët, që do të krijojë mundësi që ata të ecin përpara në rrugën e tyre të integrimit evropian dhe për të krijuar mundësi ekonomike edhe për rajonin”, tha ai.

Ai gjithashtu foli për përkushtimin e Uashingtonit ndaj Kosovës.

“Përkushtimi ynë për Kosovën, për sovranitetin e saj, pavarësinë e saj, integritetin territorial dhe sigurinë është i fortë. Dhe nuk ka të bëjë me një person dhe një parti. Partneriteti është me njerëzit e vendit dhe ne nuk do t’i braktisim ata. Pra, nëse kemi dallime taktike në qasjen se si ta bëjmë vendin të ecë përpara në këtë rrugë transatlantike, njerëzit duhet t’i shohin ato si dallime taktike dhe jo një ndryshim në qëndrimin amerikan ndaj vendit”, tha ai.

Zyrtari amerikan foli edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se marrëveshja për të duhet të zbatohet dhe se të dyja palët duhet të mendojnë për banorët e Veriut dhe perspektivën e tyre.

Escobar tha se plani franko-gjerman, ofron mundësi të jashtëzakonshme për krijimin e një marrëdhënieje të qëndrueshme mes dy vendeve, por nuk pranoi të parashikonte nëse një marrëveshje mund të arrihet deri pranverën e ardhshme.

“A mund të realizohet ose jo deri në pranverën e ardhshme varet nga ritmi i negociatave dhe ritmi i takimeve, i cili nuk varet nga SHBA, por varet nga evropianët. Por unë mendoj se mund të fillojmë të shohim skeletin e një marrëveshjeje të dalë vitin e ardhshëm. Dhe unë do të doja ta shihja një gjë të tillë”, tha ai. 

Related Articles