Escobari dhe Lajçaku sonte takojnë Kurtin, nesër Osmanin

Escobari dhe Lajçaku sonte takojnë Kurtin, nesër Osmanin

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimir, Gabriel Escobar, dhe ai i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sot do të qëndrojnë për vizitë në Kosovë.

Takimin e parë ata do ta zhvillojnë në mbrëmje me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, duke filluar në orën 20:00 në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Kështu ka njoftuar vetë Zyra e Kryeministrit, pa dhënë detaje rreth temave që pritet të diskutohen në takim.

Të nesërmen në mëngjes, të dy diplomatët do ta takojnë edhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani, duke nisur në orën 09:45. Kështu e kanë konfirmuar për Klankosova.tv nga zyra për media e presidentes.

Pas vizitës në Kosovë, Escobar dhe Lajçak do të udhëtojnë për në Serbi, ku pritet të takohen me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Tensionet në veri të Kosovës i kanë shtuar vizitat e diplomatëve të huaj në vend.

Kujtojmë se në fund të muajit maj, u krijuan tensione në veri të Kosovës me protestuesit serbë që nuk i lejonin kryetarët e rinj të katër komunave me shumicë serbe t’i ushtronin detyrat e tyre nga objektet komunale.

Si rrjedhojë, u desh të ndërhyjë Policia e Kosovës, e më pas edhe KFOR-i prej të cilëve 30 morën lëndime trupore gjatë përplasjes me protestues të dhunshëm serbë.

Të enjten (01/06/2023) gjatë një takimi në Moldavi, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani, që sa më parë të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto katër komuna në mënyrë që të qetësohet situata.

Borrell ka kërkuar po ashtu që të sigurohet se serbët të marrin pjesë në procesin zgjedhor si dhe sa më parë të fillohet me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti nuk e kanë përjashtuar opsionin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Në një intervistë të zhvilluar të premten (02/06/2023) për televizionin amerikan NBC, shefi i ekzekutivit ka kërkuar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe demokratike – pa presionin e Beogradit për t’i detyruar qytetarët serbë të Kosovës që ta votojnë Listën Serbe e cila i bojkotoi zgjedhjet lokale të 23 prillit në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Related Articles