Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në seancën e sotme të Kuvendit, ka kritikuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn, i cili dje arrestoi kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, që njihet si ‘Njeriu i VV-së.
Kurti tha se Isufaj dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të krerëve të shtetit, teksa ia përmendi atij rastet e hetimit të vetëvrasjes së Dino Asanajt dhe vrasjes së Hamdi Sopës.
“Ndërsa për tu marr me Nagip Krasniqin ishte maksimal. Ekziston disponim politik negativ ndaj qeverisjes tonë, jo vetëm ndaj meje, dhe jo vetëm ndaj qeverisjes tonë por edhe ndaj pushtetit të ri dhe kjo lidhet më shumë me figurën e prokurorit Blerim Isufaj. Bëhet fjalë për një prokuror i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike që rastin e vrasjes se ish shefit te AKP-së, Dino Hasanaj e kategrorizoi me vetëvrasje, ndërsa rastin e vetëvrasjes së Hamdi Sopës e shndërroi në vrasje. Bëhet fjalë për një prokuror i cili asnjë rast nuk ka të fituar në gjykatë, dhe ky deshiron të bëhet kryeprokuror, përkunder vullnetit të Presidentes, Kryeminisrit dhe Kryeparlamentrit. Është siklet i madhe për një njeri, i cili përkundër këtyre, e përvojës se hidhur të vendit me të, dëshiron të bëhet kryeprokuror”, tha Kurti.
Ai e ka quajtur gëzim opozitar, reagimin e partive të opozitës lidhur me arrestimin e Krasniqit.
“Nagip Krasniqi është në burg, dhe ai me siguri e sheh në tv këtë gëzim opozitar për të. Nuk është hera e parë që kemi gëzim në sallë të kuvendit për njerzit të cilet janë burg, me sisemin prokurorial i cili nga viti ne vit i cili është gjykuar nga raportet ndërkombëtare”, tha Kurti.
Sipas kryeministrit, drejtësia lëngon dhe për këtë ka fajësuar Prokurorinë, duke thënë se e ka kritikuar publikisht.
“Drejtësia lëngon pasi kemi një prokurori që nganjëherë s’don e nganjëherë s’din. E kam kritiku edhe publikisht sidomos ato speciale”, tha i pari i Qeverisë.