Eurodeputeti holandez thumbon BE-në: Qëndrimi ndaj Kurtit nuk justifikohet

Eurodeputeti holandez thumbon BE-në: Qëndrimi ndaj Kurtit nuk justifikohet

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, nga partia laburiste, tha në një intervistë për Euronews Albania se BE nuk është duke reaguar në mënyrë e duhur ndaj qëndrimit autokrat të presidentit Aleksandër Vuçiq në lidhje me Kosovën prej 10 vjetësh.

Sipas tij, Vuçiq është një politikan autokrat dhe këtë e ka dëshmuar jo vetëm me qasjen ndaj Kosovës, por edhe me politikën që ndjek brenda vendit të vet, që siç tha është demokraci vetëm në letër.

“Kemi qenë shumë kritikë ndaj qasjes së përgjithshme të BE dhe Lajçak, ajo që BE nuk po arrin të bëjë është të shikojë çfarë ndodhi në fund të majit në Veri. Po merremi për më shumë se një dekadë me një president autokrat në Serbi që është duke luajtur me ndërkombëtarët. BE nuk është duke reaguar në mënyrën e duhur ndaj këtij qëndrimi”, tha eurodeputeti.

Reuten ka thënë se janë të papranueshme masat e BE-së në drejtim të Kosovës.

“Mendoj se është e jashtëzakonshme të flasim për masa ndaj Kosovës, derisa nuk po ndërmarrim asgjë kundër Serbisë. Ndoshta mund të them e se dërgimi i kryetarëve të komunave në zyrat e tyre do të ishte bërë në ndonjë mënyrë tjetër, por kjo në asnjë mënyrë nuk justifikon qëndrimin e BE-së ndaj zotit Kurti. Më duhet të kujtoj se Kosova po përpiqet të ruaj shtetin e së drejtës madje edhe duke venë para drejtësisë ata që sulmuan KFOR-in. Këtë duhet ta ketë në konsideratë BE-ja”.

Ai ka kujtuar edhe rrëmbimin e tre policëve të Kosovës dhe mosreagimin e BE.

“Ka një mungesë balance në raport me Kosovën dhe Serbinë”, ka deklaruar ai.

Related Articles