Familjari i të arrestuarve në Gllogjan: Babai dhe vëllezërit e mi janë të pafajshëm, po dojnë me na flliq

Pas arrestimit të tre personave të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, ku u arrestuan babai dhe dy djem, ka reaguar djali i tretë, Kastriot Mehmetaj, raporton Gazeta “Enigma”.

Përmes një postimi, ai ka thënë se babai i tij dhe dy vëllezërit janë të pafajshëm, porse disa individ dëshirojnë t’i dëmtojnë ata.

“Babai im dhe dy vëllezërit e mi, janë të pafajshëm. Familja jonë nuk ka asnjë lidhje me vrasjen në Gllogjan”, tha ai.

Tutje ai shtoi se dikush po don ‘me i flliq’ ata si familje.

“Babo s’je dorëzu në luftë, mos u dorëzo në paqe. Se njerëzit e flliqt po dojnë me na flliq”, potencoi ai.

Ndryshe sot duke filluar nga ora 16:00 të dyshuarit e arrestuar të shtunën në mbrëmje do të dalin pata gjykatës.

Mbrëmjen e së shtunës, Prokuroria e Themelore e Pejës në një konferencë për media bëri të ditur se kanë prangosur tre persona të dyshuar për vrasjen në Gllogjan dhe të njëjtit me vendimin e prokurorit janë dërguar në mbajtje.

 Kryeprokori, Agim Kurtmehaj

“Pas ndodhjes së rastit kemi filluar hetimet intensive me ndihmën e Prokurorisë së Shtetit. Pas punës intensive janë arrestuar tre persona me dyshimin se kishin kryer veprën penale të vrasjes së rëndë. Prokuroria i ka ndaluar për 48 orë”, ka thënë kryeprokori Agim Kurtmehaj.

Ai theksoi se shkaku i ndjeshmërisë së rastit nuk mund të japin detaje të tjera.

“Nuk mund të japim informata të tjera që do të mund ta dëmtonin procesin e hetimeve. Ne si Prokurori zotohemi se edhe pas arrestimit të tyre, do të vazhdojmë me intensitet të shtuar për ta ndriçuar këtë rast deri në fund. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, nuk mund të marrim pyetje”, potencoi Kurtmehaj.

Pas konferencës reagoi kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj i cili i përgëzoi organet e rendit për arrestimin e tre personave.

“I përgëzoj organet e drejtësisë, në zbardhjen e rastit, konkretisht në kapjen e të dyshuarve në lidhje me vrasjen e trefishtë që ndodhi më 26 nëntor në Gllogjan. I inkurajoj organet e rendit të shtetit tonë, që të mos ndalen deri në zbardhjen përfundimtare të vrasjes makabre në Gllogjan” shkroi Ramosaj.

Kurse, mjekësia ligjore kishte konfirmuar zyrtarisht se 20 vjeçarja është vetëvarur, por ende nuk dihen motivet që e kanë shtyrë.

Ndryshe, me 26 nëntor u sulmua autobusi në Gllogjan të Deçanit, ku nga të shtënat në drejtim të një autobusi mbetën të vrarë tre persona, në mesin e tyre shoferi i autobusit dhe dy nxënës, përderisa një tjetër nxënës mbeti i plagosur.

Kurse, Qeveria e Kosovës ofroi shpërblim në vlerë 20 mijë euro, për këdo që jep informacione që dërgojnë në arrestimin e autorëve të krimit. / Gazeta Enigma.


/Gazeta Enigma.

Related Articles