Fanella e Brazilit, peng i politikës një muaj para fillimit të Botërorit

Fanella e Brazilit, peng i politikës një muaj para fillimit të Botërorit

Çdo katër vjet ka një shpërthim të gjelbër dhe të verdhë në lagjen e Julio Cesar Freitas, ndërsa vendasit mbulojnë rrugët më ngjyrat e flamurit të Brazilit. Por këtë vit Freitas u ndje i detyruar të shtonte edhe një shpjegim krahas dekorimeve të shumta jashtë dyqanit të furnizimeve të ndërtimit që është në pronësi të familjes së tij: “Nuk është politikë, është Kupa e Botës”.

Brazili i çmendur pas futbollit është shumë i dhënë pas Kupës së Botës, garë që e ka fituar më shumë se çdo vend tjetër – pesë herë. Por këtë vit shenjat e etheve të futbollit, përkatësisht Botërorit “Katari 2022”, që nis pas një muaji, kanë marrë një tjetër kuptim.

Duke luftuar për të fituar rizgjedhjen në balotazhin e 30 tetorit kundër veteranit Luiz Inacio Lula da Dila të partisë së majtë, presidenti i partisë ekstreme të djathtë, Jair Bolsonaro, ka paraqitur flamurin dhe fanellën e Përfaqësueses së Brazilit në futboll si simbole të tij.

Bolsonaro shfrytëzon rregullisht ngjyrat e flamurit, ndërsa tubimet e tij janë të dominuara nga ngjyrat verdhë e gjelbër. Ai u bëri thirrje tifozëve ta veshin fanellën e Brazilit për të votuar në rundin e parë të zgjedhjeve më 2 tetor, në të cilin përfundoi me afër sesa kishte parashikuar – vetëm pesë për qind pas Lulas. Me brazilianët të ndarë ashpër nga zgjedhjet, ngjyrat e verdha dhe gjelbër janë politizuar – ndonjëherë duke zbutur shfaqjet e jashtme të etheve të Kupës së Botës në Brazil, ekipi i të cilit shkon në Katar si favorit për ta fituar titullin në turneun që starton më 20 nëntor.

Shqetësimi është i dukshëm në lagjen e Freitas, Caicara, në qytetin juglindor të Belo Horizontes. Qyteti organizon një konkurs dekorimi për çdo Kampionat Botëror. Freitas, familja e të cilit ka marrë pjesë në këtë konkurs që nga viti 1994, thotë se pati reagime negative këtë vit në komunitetin e ndarë politikisht, pasi ata varën dekorimet e tyre dy javë më parë nëpër rrugë. Dy ditë më vonë shtuan mesazhin e lartpërmendur.

“Fatkeqësisht Kupa e Botës përkoi me zgjedhjet këtë vit. Më duhej të vendosja shenjën që njerëzit të dinin se dekoratat nuk kanë të bëjnë me mbështetjen e ndonjë kandidati”, thotë Freitas, 26 vjeç. “Unë mund të shihja se njerëzit ishin të mërzitur”.

Mirëpo, pasi shtoi shenjën se nuk ka të bëjë me politikën, por me futbollin, “njerëzit që ishin zemëruar me ne për këtë filluan të na lavdërojnë”.

Diku tjetër, shumë restorante dhe bare kanë shtyrë vendosjen e dekorimeve të tyre të zakonshme me temën e Kupës së Botës.

“Të gjithë janë në pritje. Si pronar biznesi, nuk dua asnjë telashe”, tha pronari i barit në Sao Paulo, Decio Lemos. “Ne kemi blerë fanella të Brazilit që stafi t’i veshin, por nuk do të fillojmë t’i përdorim ende për shkak të politikës”.

Flamuri brazilian dhe fanella e “Selecaos” u bënë për herë të parë simbole konservatore të përhapura në vitin 2015, gjatë protestave kundër ish-presidentes së majtë, Dilma Rousseff, pasardhësja e zgjedhur e Lulas. Trendi është rritur vetëm nën Bolsonaron, pavarësisht përpjekjeve të Konfederatës Braziliane të Futbollit (CBF) për ta mbajtur fanellën apolitike. Përpara zgjedhjeve të rundit të parë, kompania “Nike”, e cila sponsorizon Brazilin, i ndaloi blerësit në internet të porosisnin fanella të personalizuara të Përfaqësueses së Brazilit me emrat e kandidatëve në anën e pasme.

“Njerëzit po e tërheqin zvarrë fanellën në politikë. Kjo po na bën të humbasim identitetin e fanellës dhe flamurit”, pranoi së fundmi sulmuesi i Brazilit dhe Tottenhamit, Richarlison.

Shumë brazilianë kanë marrë përsipër të mbajnë fanellat e tyre të verdha në dollap, nga frika se mos ngacmohen apo sulmohen. Për mbështetësit e Bolsonaros, megjithatë është një simbol krenar i motos së tij, “Flamuri ynë nuk do të jetë kurrë i kuq” – ngjyra e Partisë së Punëtorëve të Lulas.

Lula, nga ana e tij, është zotuar të “shpëtojë” flamurin dhe fanellën nga Bolsonaro dhe këtë thirrje e bëri në një tubim, duke u mbështetur nga superylli i popit Anitta. Por duke lënë mënjanë kujtimet e ndezura të Peles, Ronaldos dhe Ronaldinhos, interesi i brazilianëve për “Selecaon” ka qenë në rënie prej vitesh. 51 për qind kanë thënë se nuk janë të interesuar për Kupën e Botës, sipas një sondazhi të bërë në muajin gusht. Shitjet e biletave dhe audienca televizive për ndeshjet e ekipit kanë pësuar rënie, po ashtu. Ekspertët thonë se luan një rol politizimi i fanellës, por edhe eliminimi poshtërues 7:1 i Brazilit nga Gjermania në vendlindje në Kupën e Botës 2014. Fakti që kaq shumë talente të rinj largohen për në Evropë ka bërë që lidhja me tifozët në shtëpi të zbehet. Historiani i sportit, Joao Malaia, parashikon që negativiteti dhe ndarjet do të zhduken kur të fillojë turneu.

“Sapo të jetë koha e ndeshjeve, shumica e njerëzve do të harrojnë gjithçka”, thotë ai. “Ata do të duan që Brazili të fitojë”.

Related Articles