Fati i Haradinajt dhe Gucatit në “duart” e Speciales, nesër jepet fjala përfundimtare

Fati i Haradinajt dhe Gucatit në “duart” e Speciales, nesër jepet fjala përfundimtare

Pas më shumë se dy vite përplasje, lot dhe emocione, nesër pritet që palët e Gjykatës Speciale ta thonë fjalën përfundimtare për fatin e ish krerëve të OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, shkruan Gazeta Enigma.

Akuzat e ngritura nga Gjykata Speciale ndaj Gucatit dhe Haradinajt, avokati Tomë Gashi i cilëson si të padrejta.

“Mund të jetë heroizëm i pabazuar nëse duam ta parashikojmë vendimin e Gjykatës Speciale sa i përket rastit te akuzave të ngritura padrejtësisht nga Prokuroria Speciale në Hagë”, ka nënvizuar Gashi.

Fjala përfundimtare ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së, tha për Gazetën Enigma se po të kishte drejtësi të mirëfillët, sipas tij Gucati dhe Haradinaj do të duhej të lirohen dhe të shpallen të pafajshëm.

Ndërsa, avokati Tomë Gashi beson në pafajësinë e Gucatit dhe Haradinajt, por nuk beson në Gjykatën Speciale nëse sjell vendim dënues për ta.

“Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati e kanë bërë me dije dhe e kemi ditur të gjithë që kanë luftuar kundër forace okupuese serbe”, tha Gashi.

Në fjalën përfundimtare të Prokurorisë, kryeprokurori i ZPS-së, Jack Smith, i ka cilësuar Gucatin dhe Haradinajn si “të akuzuar unikë”.

“Këta të akuzuar janë unikë, pasi ata nuk janë penduar. Ata kanë shkuar më tej dhe kanë thënë, në shumë mënyra, se do ta bëjnë këtë krim, apo një krim të ngjashëm edhe në të ardhmen, po t’iu jepej mundësia”, ka deklaruar prokurori Smith më 17 mars.

Ndërsa, Prokuroria ka insistuar vazhdimisht se masa më e përshtatshme për Gucatin e Haradinajn është dënimi me burgim.

Për çfarë janë akuzuar për dy vite radhazi Gucati dhe Haradinaj?

Gucati dhe Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkrentisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtar, për frikësim të dëshimtarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gucati dhe Haradinaj janë arrestuar në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media nga selia e OVL të UÇK-së kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Gjykatës Speciale.

Siç pretendohet edhe në aktakuzë, në ato dokumente – kopje të të cilave u janë shpërndarë gazetarëve – ka pasur edhe emra të dëshmitarëve potencialë, që mund të dëshmonin kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë këtu edhe rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, pas rrjedhjes së këtyre dokumenteve, kanë refuzuar për një kohë të konfirmojnë autenticitetin e tyre, por, siç është dëshmuar gjatë procesit gjyqësor, gjykata dhe prokuroria iu referohen atyre si “dokumente zyrtare” të këtij institucioni. Ndërsa, OVL-UÇK ka thënë se këto dokumente i janë dërguar asaj nga një person anonim.

Mos (besimi) i akuzave të Gjykatës Speciale kundrejt Gucatit dhe Haradinajt

 “Është vërtetuar se Gjykata nuk ka asnjë fakt se kinëse kanë publikuar emrat e dëshimtarëve të mbrojtur”.

Kështu thotë Gashi sa i përket akuzave të Gjykatës Speciale, duke theksuar se kjo Gjykatë po bashkëpunon me Prokurorinë e Serbisë në Beograd kundër pjestarëve të UÇK-së.

Gashi thotë se asnjë shqiptarë nuk do t’i besoj aktgjykimit eventual ndaj Gucatit dhe Haradinajt, kjo sipas tij se së pari duhet pasur parasysh se Prokuroria Speciale asnjëherë nuk ka deklaruar se a janë dokumente origjinale, apo jo.

Mes tjerash, ai thotë se nëse janë dokumente të Gjykatës Speciale, atëherë sipas tij do të duhej të ketë hetim dhe akuza për ata që i nxorren dokumentet nga ajo Gjykatë apo Prokurori.

“Dihet që zingjiri i ruajtjes së dokumente në Gjykatën Speciale është jashtëzakonisht efikas dhe përveç ruajtjes elektronike, ka edhe ruajtje fizike derisa dhe është e tepërt të themi se në secilin kënd ka kamera të sigurisë që regjistrohet secila lëvizje e secilit që gjendet brenda objekteve të kësaj Gjykate dhe Prokurorie”, ka thënë Gashi për Gazetën Enigma.

Tutje, Gashi thotë se Gjykata Speciale “nuk do të duhej të ishte si Policia e Kosovës në Prishtinë dhe në Pejë ku u vodhën shumë miliona euro dhe prova të disa lëndëve të rëndësishmë”, duke theksuar se këto ndodhën shumë vitë më pare dhe ende nuk u zbulua asnjë i dyshuar dhe asnjë aktakuzë nuk është ngritë deri më sot.

Kurse, Klinaku thotë se sa i përket akuzave, Gjykata Speciale është dashur ta akuzojë Prokurorinë që kanë nxjerr dosje nga zyret e tyre. Sipas tij, ata është dashur ta akuzojnë vetëveten.

Se Gjykata Speciale duhet ta akuzojë vetëvetën sipas Klinakut, të njëjtën gjë e thotë edhe Gashi.

“Nëse Gjykata Speciale dëshiron të jetë e drejtë do të duhej ta hetonte së pari vetëveten se si ju rrodhën dokumentet e tyre se Gucati dhe Haradinaj nuk kanë shkuar në Hagë e t’i marrin ato për t’i dërguar në selinë kryesore të OVL-UÇK’së”, tha tutje Gashi.

Ndryshe, Gjykata Speciale dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2015 dhe mision kanë hetimin e krimeve të pretenduara të ish-pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Si ka rrjedhur gjykimi?

Që nga fillimi i gjykimit ndaj Gucatit dhe Haradinajt janë paraqitur 14 dëshmitarë.

Katër janë propozuar nga ZPS-ja, gjashtë nga Hysni Gucati, katër nga Nasim Haradinaj. Numri i dëshmive me shkrim, ndërkaq, ka qenë 18. Dymbëdhjetë janë propozuar nga mbrojtja e Gucatit dhe gjashtë nga mbrojtja e Haradinajt.

Në këtë proces gjyqësor kanë dëshmuar gazetarë, punonjës të zyrës qendrore të OVL-UCK-së, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, si dhe zyrtarë të ZPS-së dhe të Dhomave të Specializuara.

Si prova kryesore në këtë rast janë paraqitur video-incizimet e zyrës së OVL-UÇK-së, në të cilat Gucati e Haradinaj shihen duke mbajtur konferenca për media dhe duke prezantuar, siç është thënë, dokumente konfidenciale para gazetarëve. Në disa raste, ata akuzohen se kanë dhënë informacione tejet të ndjeshme për dëshmitarë të mbrojtur. /Gazeta Enigma/.

Related Articles