Ferizaj: Policia arreston katër persona, njëri nga ta ishte me urdhërarrest ndërkombëtar

Ferizaj: Policia arreston katër persona, njëri nga ta ishte me urdhërarrest ndërkombëtar

Policia Rajonale e Ferizajt ka ndaluar katër persona në Ferizaj, raporton Gazeta “Enigma”.

Sipas njoftimit të Policisë tre prej tyre ishin të kërkuar për rastin ” Vrasje e mbetur në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje ” dhe një person i kërkuar me “Urdhërarrest ndërkombëtar”.

“Me datën 17.10.2023 rreth orës 00:30 Policia Rajonale e Ferizajt kishte pranuar një informatë se në një lokal në qendrën ” The Village Shopping & Fun ” kishte të shtëna me armë të zjarrit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Hetuesit dhe krimteknijët rajonal nën autorizim të prokurorit të shtetit pasi kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes kanë nisur hetimet dhe kërkimin e personave të dyshuar.

“Me datën 03.05.2024 rreth orës 23:43 ekipe të policisë së Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH) dhe të Njësisë së Narkotikëve në rrugën ” Astrit Bytyqi” në Ferizaj kanë ndaluar një veturë Audi me targa të Maqedonisë së Veriut”, njofton Policia.

Gjatë legjitimit të personave dhe kontrollimit të veturës janë gjetur tri armë zjarri ( pistoleta) dhe sasi e municionit.

“Katër persona janë shoqëruar në stacionin e policisë, konkretisht në Sektorin Rajonal të Hetimeve me dyshimin si persona të kërkuar, të përfshirë në raste kriminale, ndërsa tre nga ta kanë prezantuar dokumente identifikimi të rrejshme”.

Tutje Policia ka njoftuar se gjatë verifikimit të personave ka rezultuar se tre personat ishin të dyshuar dhe të kërkuar për rastin në Ferizaj të datës 17.10.2023:

– A.K , mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut,  i moshës 45 vjeçar, i dyshuar për ” Vrasje e mbetur në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje

– S.R , mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut,  i moshës 40 vjeçar, i dyshuar për pjesëmarrje në rrahje

– F.T, mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 40 vjeçar, i dyshuar për pjesëmarrje në rrahje.

Ndërsa, personi B.K, mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 42 vjeçar, ka rezultuar i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar, i lëshuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

“Të dyshuarit pas intervistimit nga hetuesit rajonal, me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore dhe procedura tjera për ekstradimin e personit të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e tyre. /Gazeta Enigma/

Related Articles