Mbjellja e mjedrave në Kosovë nuk ka qenë një aktivitet shumë i njohur për bujqit, por viteve të fundit, ky lloj plantacioni sa vjen e shtohet, për shkak të përfitimeve ekonomike nga shitja e tyre, shkruan Gazeta Enigma.
Këtë biznes vendosi ta provojë edhe Agim Hyseni, një bujk nga Gjilani që nuk është se kishte gëzuar shumë suksese me veprimtaritë e tjera bujqësore.
“Më herët kemi pasur bagëti të ndryshme, si dhi, dele e lopë, por kujdesi ndaj tyre kërkonte përkushtim të madh dhe fitimi nuk ishte i madh”, thotë ky bujk në një rrëfim për Gazetën Enigma.
Pas heqjes dorë nga bagëtitë, Agimi ende e kishte një fushë dhjetëra ari të madhe, që vendosi ta kultivojë me mjedra, pasi dëgjoi se një gjë e tillë po ia vlen për të pasur sukses.
Në vitin 2023 ai filloi me mbjelljen e tyre, ndërkohë që këtë vit që po e lëmë pas, mjedrat e tij filluan të lëshojnë frutat e parë, të cilëve ia pa shumë hairin.
Punë më e pastër, më pak përkushtim
Përveç që është një punë më e pastër, Agimi thotë se kultivimi i mjedrave kërkon më pak përkushtim, në krahasim me punën që bënte kur kishte bagëtitë.
“Për dallim që kur kisha bagëtitë, duhej të kujdesesha për to nga mëngjesi e deri në mbrëmje, mjedrat më kanë shpëtuar, pasi kujdesi ndaj tyre nuk kërkon shumë kohë dhe mund”, thotë ai.
Me biçikletën e tij, Agimi udhëton pothuajse çdo ditë nga shtëpia e tij deri tek fusha, ku kontrollon nëse është gjithçka në rregull me mjedrat e tij.
Gjatë verës, ai ujit mjedrat të paktën një herë në javë, ndërkohë që krasitjen e tyre e bën në fillim të stinës së dimrit ose në fillim të stinës së pranverës.
“Mjafton të shkojë vetëm për disa orë gjatë ditës, të shoh se a janë në rregull. Ia heqi barërat e këqija që mund t’i dëmtojnë. Edhe degët e tyre i lidhi me shtylla, pasi mund të thyhen. Edhe krimbat dhe disa lloj tjera të insekteve i heqi herë pas here, pasi mund t’i dëmtojnë bimët”, thotë ai.
Si i shiti mjedrat?
Në fillim të kësaj veprimtarie, Agimi dyshonte nëse do të gjente konsumatorë dhe lokale për shitjen e mjedrave.
Por, kur erdhi koha e vjeljes së tyre, bujku gjilanas u habit nga kërkesat e shumta për blerjen e tyre.
“Pasi që ne vetë në familje nuk është se më herët kemi kërkuar për të blerë mjedra dhe as të tjerët në rrethin tim nuk kanë blerë mjedra, mendoja më vete: “Kush do i blejë gjithë këto mjedra?”. E kur erdhi koha e vjeljes së tyre, llafi që unë kam mjedra për të shitur ishte përhapur shpejtë, e shumë tregtarë erdhën për t’i blerë ato. U habita se si u shitën aq shpejtë. Mendoja me vete: “ku po i çojnë?”. Por më vonë kuptova se në fakt shumë qytetarë duan të blejnë mjedra”, vazhdon të tregoj bujku për “Enigmën”.
“Edhe çmimi për shitjen e tyre është dukshëm më i lartë në krahasim me pemët tjera që zakonisht janë shitur këtu përreth, siç janë mollat, dardhat apo kumbullat. Mbase pasi janë më të vogla në masë dhe duhet më shumë kujdes për vjeljen e tyre”, shton ai.
Agimi dëshiron që ta rrisë biznesin
Me kultivimin e mjedrës, Agimit i duket sikur më në fund ka gjetur një veprimtari të rehatshme, dhe se do vazhdojë me këtë biznes edhe viteve në vazhdim, si dhe do të synojë rritjen e hapësirës për të mbjellë mjedra.
“Po ta kisha ditur se kam fitime të tilla nga mjedrat, do e nisja këtë veprimtari shumë më herët. Tani që e di se po shkoj në hapa të sigurt, vitin e ardhshëm planifikoj të mbjelli mjedra edhe në arat e tjera që i kam. Nëse biznesi vazhdon të rritet, pse jo do kërkojë ndonjë arë tjetër për të blerë dhe për ta kultivuar me mjedra”, shprehet ai.
Për vjeljen, angazhohet e gjitha familja
Kur vjen koha për vjeljen e tyre, Agimi tregon se edhe gruaja dhe tre fëmijët e tij janë të gatshëm ta ndihmojnë, pasi që duhet një proces i shpejtë për mirëmbajtjen e tyre.
“Zakonisht koha për vjeljen e tyre është gjatë verës dhe vjeshtës së hershme. Kur është koha për vjelje, vijmë herët në mëngjes apo vonë pasdite me gruan dhe fëmijët, pasi që gjatë ditës kur dielli është i pranishëm, mund të dëmtohen teksa bëjmë vjeljen e tyre. Teksa bëjmë vjeljen duhet më shumë përkushtim, pasi duhet kujdes që të mos dëmtohen, si dhe duhet të lihen në enë të cekëta, në mënyrë që të mos shtypen. Këtë proces e përfundojmë për rreth tri apo katër ditë, ndërkohë që shitja e tyre bëhet shumë shpejtë”, shprehet më tej fermeri.
Përveç që tani furnizon lokale të tjera me mjedra, Agimi thotë se mjedrat tani janë pjesë edhe e kuzhinës në shtëpinë e tij, si dhe dhuron shumë nga to edhe për të afërmit e tij.
“Vetë pamja e mjedrave të mbjella në çdo cep të fushës, më jep një qetësi teksa i shikoj në një masë të njëjtë, sidomos mëngjeseve të verës, teksa ajri është i freskët e shikoj teksa rrezet e diellit fillojnë të bien mbi to”, përfundon bujku rrëfimin për Gazetën Enigma.
Krejt në fund të sezonës, pas shitjes së fundit të mjedrave, Agimi i mbulon rrënjët e mjedrave, me barë të tharë, në mënyrë që të mbrohen nga i ftohti apo reshjet e borës.
Mjedrat mund të konsumohen të freskëta, në formë lëngjesh, reçelesh ose në ëmbëlsira. Për të përfituar maksimalisht nga vlerat e tyre, preferohet t’i konsumoni të freskëta dhe të pakta në sheqer.
Cilat janë përfitimet e mjedrës?
Mjedrat janë fruta të vogla, të shijshme dhe shumë të pasura me vlera ushqyese që ofrojnë një sërë përfitimesh shëndetësore.
Ja disa prej tyre:
Pasuri me antioksidantë
– Mjedrat përmbajnë *vitaminë C*, *quercetin* dhe *anthocyanin*, të cilët mbrojnë qelizat nga dëmtimi i radikalëve të lirë. Këto antioksidantë ndihmojnë në uljen e rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare, kancerin dhe plakjen e parakohshme.
Përmirësimi i shëndetit të zemrës
Fibra dhe kaliumi që gjenden te mjedrat ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut dhe në përmirësimin e qarkullimit të gjakut. Konsumimi i tyre ul nivelet e kolesterolit të keq (LDL) dhe rrit kolesterolin e mirë (HDL).
Mbështetje për sistemin imunitar
Përmbajtja e lartë e *vitaminës C* ndihmon në forcimin e sistemit imunitar dhe në mbrojtjen kundër infeksioneve.
Ndihma në tretje
Mjedrat janë të pasura me fibra dietike, të cilat ndihmojnë tretjen, parandalojnë kapsllëkun dhe mbështesin mikrobiomën e shëndetshme të zorrëve.
Kontrolli i peshës
Janë fruta të ulëta në kalori dhe kanë një indeks të ulët glicemik (GI), duke i bërë ideale për ata që duan të mbajnë nën kontroll sheqerin në gjak dhe peshën trupore.
Përfitime për shëndetin e lëkurës
Vitamina C dhe antioksidantët nxisin prodhimin e kolagjenit, duke ndihmuar në parandalimin e rrudhave dhe ruajtjen e elasticitetit të lëkurës. Antioksidantët gjithashtu mbrojnë lëkurën nga dëmtimet e shkaktuara nga rrezet UV.
Mbështetje për shëndetin e kockave
Mjedrat përmbajnë mangan dhe vitaminë K, të cilat ndihmojnë në forcimin e kockave dhe parandalimin e osteoporozës.
Rregullimi i sheqerit në gjak
Mjedrat janë të ulëta në karbohidrate dhe përmbajnë fibra që ndihmojnë në stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak, duke qenë të dobishme për personat me diabet të tipit 2.
Mbrojtja kundër kancerit
Përbërësit bioaktivë, si ellagic acid dhe anthocyanin, ndihmojnë në parandalimin e zhvillimit të qelizave kancerogjene dhe në reduktimin e inflamacionit.
Përmirësimi i funksionit të trurit
Antioksidantët te mjedrat ndihmojnë në përmirësimin e kujtesës dhe në reduktimin e rrezikut për sëmundje neurodegjenerative, si Alzheimeri. /GAZETA ENIGMA