Fillimi i furishëm i lojtarëve të larguar nga Ballkani

Fillimi i furishëm i lojtarëve të larguar nga Ballkani

Ballkani shkroi histori javën e kaluar. U bë skuadra e parë kosovare që arriti në fazën e plejofit të garave të UEFA-s.

Klubi i futbollit nga Suhareka kaloi në fazën e plejofit të Ligës së Konferencës dhe do të përballet me Shkupin.

Pjesë e historisë së Ballkanit në garat e Evropës nuk janë Kushtrim Gashi, Mevlan Zeka dhe Theophilus Solomon. Të tre këta futbollistë dhanë kontribut te Ballkani në edicionin 2021/2022 që përfundoi me titull të kampionit, të parin në histori.

Gashi, Zeka dhe Solomon u larguan pa luajtur asnjë ndeshje në Evropë për Ballkanin.

Por të tre shpërthyen në nismë të edicionit të ri, në klubet e reja të tyre.

Sulmuesi nigerian, Solomon, shënoi dy gola, ndërsa Zeka një tjetër në fitoren 3:2 të Gjilanit ndaj Ferizajt. Për dy ish-futbollistët e Ballkanit ishte debutim me fanellën e Gjilanit në ndeshje zyrtare.

“Jam i lumtur që tashmë jam pjesë e një klubi që ka histori në futbollin e Kosovës. Realisht Gjilani më ka pëlqyer gjithmonë, sikurse nga kualiteti që ka skuadra brenda, po ashtu edhe nga organizimi. Gjilanasit janë dukur gjithmonë bukur nga jashtë”, ka thënë Solomon për KOHËN, ndërsa ka shtuar se do të japë maksimumin për arritjen e objektivave me sa më shumë gola që ka mundësi.

Image

“Gjilani më afroi në momentet më të vështira të karrierës sime dhe për këtë i jam shumë mirënjohës dhe do të jap gjithmonë maksimumin, vetëm e vetëm për besimin e treguar”, nënvizoi 26-vjeçari, që në kampionatin e kaluar me suharekasit realizoi pesë gola.

I lumtur që debutoi me fitore është edhe Zeka. Ai premton gola të tjerë për Gjilanin.

“Me Ballkanin kalova momente të mira, duke dhënë gjithçka nga vetja për të hyrë në histori të klubit me titullin kampion. U jam mirënjohës të gjithëve, sepse më kanë respektuar të gjithë, nga presidenti, tifozët e deri tek ekonomi”, tha fillimisht Zeka, teksa shtoi se ndryshimi i ambientit është bërë për t’i treguar vlerat që posedon, në një klub të ri. “Tani jam te Gjilani dhe i falënderoj tifozët ‘Skifterat’, trajnerin, zyrtarët e klubit dhe gjithë lojtarët për mikpritjen. Kemi atmosferë shumë të mirë brenda dhe së bashku besoj se do t’i arrijmë objektivat e klubit. Debutova me gol dhe shpresoj të vazhdojmë kështu, duke dhënë maksimumin në çdo ndeshje”, u shpreh Zeka, që shënoi golin e parë në fitoren 3:2.

Me fitore debutoi edhe Kushtrim Gashi te Prishtina.

Gashi ditë më parë iu bashkua Prishtinës pas ndarjes me Ballkanin, kurse luajti titullar në ndeshjen e fituar 2:1 në Klinë ndaj skuadrës së Dukagjinit. Titullar te Prishtina ishte edhe Ramiz Bytyqi, që pati pak hapësira te suharekasit edicionin që shkoi.

“Para vetes ndiej përgjegjësi të madhe pasi Prishtina kërkon gjithmonë çdo ndeshje maksimumin. Prishtina ka bërë organizim shumë të mirë, si në futbollistë ashtu edhe në staf. Madje ka sjellë edhe drejtor sportiv një ish-futbollist që ka kontribuuar shumë dhe e njeh ambientin shumë mirë. Ne do të luftojmë për vendet e para deri në fund”, tha fillimisht Gashi, që bëri të ditur se i janë dashur vetëm dy stërvitje me skuadrën e re. “Ndeshjet e para gjithmonë janë të vështira pasi do kohë që skuadra të hyjë në ritmin e duhur. Unë kisha vetëm dy stërvitje para se të futesha në ndeshje. Mund të them që jam i kënaqur për ato minuta sa u paraqita. Në fund ka rëndësi që starti të jetë i mirë dhe ne ia arritëm qëllimit”, përfundoi Gashi.

Related Articles