Me fillimin e vitit të ri shkollor më 8 janar, procesi arsimor duket se do të nisë pa pengesa, pasi grevat sipas SBASHK-ut janë përjashtuar për momentin, shkruan Gazeta “Enigma”.
“Sa i përket SBASHK-ut gjysmevjetori i dytë do të filloj më 8 janar”, deklaron Rrahman Jasharaj.
Megjithatë, mundësia për veprime sindikale mbetet e hapur, pasi vendimet për greva të mundshme do të shqyrtohen vetëm pas nisjes së mësimit.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se MASHT-i dhe ministrja Nagavci nuk kanë pranuar të ketë një dialog me ta.
“Fatkeqësisht përkundër angazhimit tonë dhe ndërmjetësuesit ligjor që parashihet edhe me ligjin për sindikata dhe për grevat, ndërmjetësuesi ligjor na ka kthyer përgjigje se MASHT-i dhe ministrja Nagavci nuk kanë pranuar as ndërmjetësimin e tij për fillimin e këtij dialogu dhe tash na mbetet që të konsultoheni pas kthimit të mësimdhënësve në shkolla”, tha Jasharaj.
Tutje ai ka shtuar se në një kohë kur fushata zgjedhore fillon më 11 janar, mbetet të shihet se si do të zhvillohet situata, ndërsa Këshilli Drejtues ka paralajmëruar masa dhe hapa të mëtejshëm në përputhje me rrethanat.
“Bazuar në ato që kemi biseduar deri më tani dhe gjatë pushimit këshilli drejtues besoj nuk do të nuk do të sjellë vendim për ndonjë grevë afatgjate pasi që më 11 janar veç fillon edhe fushata zyrtare zgjedhore në Kosovë dhe Qeveria mund të na hedhë herë andej e herë këndej duke na akuzuar se po bëjmë angazhime në shërbim të dikujt tjetër, por jam i sigurt se Këshilli Drejtues do të gjej forma për të shprehur pakënaqësitë tona në mënyra tjera”, deklaroi Jasharaj për “Enigmën”.
Sipas tij greva afatgjata nuk do të ketë, por gjithsesi veprime tjera sindikale do të ketë.
“Jam i sigurt se greva me afat të gjatë nuk do të ketë, por mund të ketë ndonjë veprim tjetër sindikal, dhe e tërë kjo jo se s’kemi arsye por më 11 janar fillon fushata zgjedhore dhe partia në pushtet mund të na etiketoj se jemi në shërbim të atij apo të këtij, ku për të mos ia dhënë këtë mundësi Këshilli Drejtues do të jetë i kujdesshëm dhe do të zgjedh forma tjera të reagimit për të shprehur pakënaqësitë tona që janë të arsyeshme dhe të grumbulluara”, ka përfunduar Jasharaj. /Gazeta Enigma/