Flet bashkëshortja e njërit prej policëve të kidnapuar: Çdo ditë flas në telefon, sot nuk u lajmërua hiç

Flet bashkëshortja e njërit prej policëve të kidnapuar: Çdo ditë flas në telefon, sot nuk u lajmërua hiç

Tre policë të Kosovës janë rrëmbyer sot nga njësitë speciale të Policisë së Serbisë.

Në mesin e tre policëve që u kidnapuan sot nga forcat serbe është edhe Shemi Mustafa.

Ai në Policinë e Kosovës shërben që nga viti 2006, e në pikën statike që gjendej sot para se të kidnapohej po punonte nga aty, tash e dy muaj.

Kështu tregoi për KALLXO.com Shpresa Mustafa, gruaja e tij.

Me lot në sy, ajo mbrapa kamerave shprehet e shqetësuar për situatën në të cilën gjendet.

E  njëjta tregon se deri më tani nuk kanë pasur ndonjë thirrje nga ana e zyrtarëve shtetërorë.

“I kam do familjarë të tjerë policë, ata janë këtu. Na ka vizitu edhe një komandat i Policisë” – thotë ajo.

Shpresa ka pesë fëmijë me Shemin, e njëjta tregon se ky i fundit, 62-vjeçar, ka edhe probleme shëndetësore.

“Është kanë edhe smutë, prej pushimit mjekësor ja ka nis punën. Ka probleme më frymëmarrje” – thotë ajo.

Lagjja ku jeton Shemi Mustafa, njëri nga tre policët e rrëmbyer nga njësitë speciale të Policisë së Serbisë. FOTO: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Gruaja e policit të kidnapuar nga forcat serbe tregon se kontaktet me bashkëshortin e saj kur ai gjendet në punë i ka të vazhdueshme edhe pse shpeshherë terrenet e vështira ia pamundësojnë të bisedojnë lirshëm.

“Sot nuk kemi fol hiç me të, tjera herë fol gjithë, e sot asnjëherë nuk është lajmëru se nuk po kanë qasje atje, nuk kanë valë, sen hiç nuk kanë. Po kohë pas kohe ai del, lypë valë, i gjenë e më lajmërohet. Sot asnjëherë nuk është lajmëru, prit po lidhet diku me më shkru, hiç sen” – shprehet ajo.

Tre policë të Kosovës u kidnapuan sot në Leposaviq. Siç kanë konfirmuar Policia e Kosovës e edhe vet krerët e shtetit, policët gjendeshin brenda territorit të Kosovës.

“Njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës” – thuhet në komunikatën e Policisë.

Edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka konfirmuar diçka të tillë, e kryeministri Albin Kurti ka thënë se ata gjendeshin 300 metra në brendësi të territorit të Kosovës.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, po pretendon se tre zyrtarët policorë që dyshohet se u kidnapuan nga policia serbe u gjetën në jugperëndim të Serbisë, rreth 10 kilometra nga kufiri me Kosovën.

Ai tha se pjesëtarët e policisë serbe nuk e kanë shkelur territorin e Kosovës dhe as rezolutën 1244.

Sipas tij, Serbia është e gatshme të ofrojë të gjitha provat dhe kërkoi hapjen e një hetimi ndërkombëtar, nëse është e nevojshme.

Mirëpo, Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani i ka quajtur të rrejshme deklarimet e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq lidhur me këtë çështje.

“Ata janë zyrtarë kufitarë patrullues dhe nuk janë zyrtarë të njësiteve speciale, pra është një deklarim i rrejshëm i palës serbe. Ata janë tre zyrtarë policorë të moshës së shtyrë rreth 50 vjeçar apo edhe mbi. Që kanë shërbyer për vite me radhë në Policisë e Kosovës”- ka thënë ai.

Kelani ka deklaruar se policët e kidnapuar janë të moshës rreth 50 vjeç apo mbi.

Kelani ka thënë se janë të bindur që pjesa ku janë gjendur policët është thellë brenda territorit të Kosovës.

Related Articles