Vajza e të moshuarës e cila është keqtrajtuar nga punëtoret e Qendrës për të Moshuar në Pejë “Orenda”, është shprehur e tronditur për rastin.
Në një linjë direkte me RTV Dukagjini, vajza e të moshuarës është shprehur e tmerruar dhe në një gjendje jo të mirë emocionale.
Telefonin e saj e ka kapur pas pak çasteve, bashkëshorti, i cili ka thënë se me të marrë informatën ka lajmëruar policinë në rajonin e Gjakovës.
“E kam lajmëruar policinë e Gjakovës, siç duket e kanë arrestuar, të shohim tash kush është ajo pse është përdorur ajo dhunë”, ka thënë dhëndri i të moshuarës.
Dy personat e ndaluar për rastin e keqtrajtimit të të moshuarës nga punëtoret e Qendrës për të Moshuar në Pejë “Orenda”, tashmë janë duke u intervistuar.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Veton Elshani, për Demokracia.com, i cili ka theksuar se lidhur me rastin janë duke u marrë dy prokurorë.
Ai ka potencuar se ndonëse është një video alarmante dhe shqetësuese, viktima nuk ka pësuar lëndime trupore.
Megjithatë, ai e quan ngjarje të rëndë, dhe se për të njëjtën janë duke mbledhur informacionet e duhura.
“Që një javë ka ndodhur ky rast. Nuk i ka më shumë se një javë. Janë dy persona në stacion, pas intervisitimit besojmë se këta persona do të arrestohen, dy prokurorë po merren me këtë rast. Ajo video ka qenë alarmante. Në momentin që e kemi marrë informacionin, e kemi pranuar videon nga gazetarët e juaj. Nuk mund të themi asgjë për pozitat e tyre sepse po i intervistojmë. Të gjitha masat po ndërmerren. Kjo është një video alarmante, shqetësuese me pa, nuk ka lëndime trupore, por është e rëndë. Nuk kemi informacion që zonja ka ndonjë problem. Jemi në mbledhje të informacioneve”, është shprehur Elshani.
Zëdhënësi i Policisë në Pejë, Fadil Gashi ka konfirmuar se janë arrestuar dy të dyshuarat në lidhje me rastin e keqtrajtimit të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë.
Ai ka bërë të ditur se është arrestuar e dyshuara e cila shihet në video duke e keqtrajtuar të moshuarën si dhe përgjegjësja kryesore e shtëpisë së pleqve në Pejë si e dyshuar për mos-raportim të rastit.
Punëtoret e Qendrës për të Moshuar në Pejë “Orenda”, kanë rrahur fizikisht një të moshuar.