Bashkë me numrin e të të infektuarve me COVID-19 në Kosovë, janë rritur edhe kërkesat për transfuzion të gjakut, shkruan Gazeta “Enigma”.
Kështu të paktën ka bërë të ditur, në një intervistë për Gazetën “Enigma”, drejtoresha në Qendrën për Transfuzion të Gjakut, Bukurije Zhubi, e cila ka thënë se gjatë kësaj kohe sidomos me shtimin e rasteve të infeksionit kanë pasur kërkesa më të mëdha për dhurim të gjakut, por që kanë mjaftueshëm doza për pacientët në nevojë.
“Me shtimin e rasteve me COVID-19 janë shtuar kërkesat për Plazme konvaleshente dukshëm”, ka thënë Zhubi.
Tutje ajo theksuar se kanë ndikuar edhe dhuruesit vullnetar për arritjen e sigurimit të konsiderueshme të gjakut.
“Fatmirësisht me angazhimin maksimal të tërë stafit të QKKTGJ, dhe dhurimit vullnetar të gjakut përmes sesioneve që i kemi pasur nga FSK, dhe fshatra të ndryshme kemi arritur ti mbulojmë të gjitha kërkesat që kanë pasur pacientët me COVID”, theksoi ajo.
Zhubi ka theksuar se aktualisht “Jemi në një verë jashtëzakonisht të madhe e të nxehtë, që ka ndikuar që të pakësohet me raste dhurim i gjakut, e këtu hyjnë edhe pushimet por falë organizimeve tona nga qendra kemi kontribuar që të krijojmë një shtesë të dozave të gjakut gjithmonë me ndihmën e qytetarëve që kanë shprehur dëshirë të japin gjak”
Organizime të tilla për dhurim të gjakut në Kosovë, ka pasur edhe të premten me 20 gusht, ku Qendra për Transfuzion te Gjakut në bashkëpunim me Këshillin e Bashkësisë Islame në Mitrovicë kanë zhvilluar aksion për dhurim vullnetar me moton “Dhuro gjak, shpëto jetë”.
“KBI në Mitrovicë ka zhvilluar aksionin për dhurim të gjakut duke dhuruar gjak sipas rregullave, ku dhuruesit kanë plotësuar pyetësorin pastaj janë kontrolluar nga mjeku që vlerëson a do të vazhdohet me dhurimin e gjakut duke pas parasysh edhe ditën kur ata janë vaksinuar”, është shprehur Zhubi.
Shumë qytetarë kanë përdorur rrjetet sociale për të siguruar plazmë konvaleshente për familjarët e tyre të infektuar me COVID-19.
Andaj, Bukurije Zhubi, ka bërë apel për të gjithë qytetarët e Kosovës për dhurim të gjakut vullnetar.
“Të gjithë qytetarët që kanë kaluar sëmundjen COVID-19 dhe janë shëruar të dhurojnë plazma për pacientët në nevojë”, ka apeluar ajo.
Tashmë është e ditur që plazma e gjakut mund të dhurohet nga një person që është shëruar nga koronavirusi, pasi vlerësohet se, antitrupat e ndodhura në plazmën konvaleshente lidhen me virusin në trupin e pacientit, duke reduktuar ndikimin e tij dhe kufizojnë kështu përparimin e sëmundjes.
Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se në total numri i rasteve aktive është 18 mijë e 287.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve është 107 mijë e 25, ndërsa nga fillimi i pandemisë nga Coronavirus kanë vdekur 2 mijë e 315 persona./Gazeta Enigma/.