Nuk kalon pothuajse asnjë ditë në Kosovë kur nuk ju bëhet thirrje qytetarëve, për të ndihmuar financiarisht ndonjë person të sëmurë rëndë, i cili kërkon shërim jashtë vendit, shkruan Gazeta Enigma.
Rastet vetëm vijnë e shtohen, kurse mungesa e zhvillimit në aspektin e Shëndetësisë në Kosovë, detyron shumë familje që të trajtohen jashtë vendit, duke e pasur parasysh që një gjë e tillë ka një kosto të pa përballueshme për shumicën e qytetarëve të cilët përballen me sëmundje të rënda.
Ndërkohë, Kosova e ka tashmë programin për trajtim jashtë vendit, i cili është në kuadër të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, por që i njëjti duket se nuk po funksionon siç duhet.
Por, sa ka mjete të mjaftueshme ky Fond?
Në një përgjigje nga Fondi për Sigurim Shëndetësor për Gazetën Enigma, bëjnë të ditur se buxheti për programin TMJIShP për vitin 2025 është 10 milionë euro.
“Qeveria e Republikës së Kosovës përmes Fondit për Sigurim Shëndetësor ofron përkrahje financiare për shërbime shëndetësore që nuk ofrohen në institucionet shëndetësore publike për të gjithë shtetasit e Repbulikës së Kosovës dhe rezidentëve të përcaktuar sipas ligjeve në fuqi. Buxheti i destinuar për Programin e TMJIShP për vitin 2025 është 10 milion, shpenzueshmëria e të cilit deri më tani është mbi 50%”, thuhej në përgjigjen e FSSH-së për Enigmën.
Tutje, nga FSSH bëjnë të ditur se personat e autorizuar të institucioneve zyrtare komunikojnë me pacientët të cilët vet e zgjedhin se ku do të marrin trajtimin mjekësor.
“Bazuar në kriteret e UA 03/2023, Fondi realizon komunikime zyrtare vetëm me institucionet apo personat e autorizuar të institucioneve shëndetësore ku pacientët vet zgjedhin të marrin trajtimin mjekësor”, thanë nga FSSH.
Tutje ata kanë theksuar se “Bordi për TMJIShP është përgjegjës për vlerësim të dokumentacionit mjekësor, aprovimin ose refuzimin e shumës financiare për trajtim mjekësor.
Përcaktimi i mbulueshmërisë financiare bëhet sipas kritereve të përcaktuara me nenin 10 të Udhëzimit Administrativ dhe konfrom ligjit për menaxhimin e financave publike”, përfunduan nga FSSH për Enigmën. /Gazeta Enigma.