Një rast skandaloz u raportua se ka ndodhur në Spitalin e Pejës ku një foshnjë e vdekur është futur në lavatriçe e mbështjellur me çarçafë.
Lajmine konfirmoi kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, i cili tha se lidhur me rastin kanë filluar hetimet.
Ai e konfirmoi se foshnja ka qenë e vdekur kur është futur në lavatriçe.
“Po kanë filluar hetimet. Këtu është i përfshirë edhe inspektorati i Shëndetësisë, tash po këqyrim a ka persona përgjegjës për këto veprime neglizhente që kanë ndodh, a ka përgjegjësi eventuale. Po, po foshnja ka qenë e vdekur”, tha ai për Express.
Indeksonline raportoi sonte se pakujdesia e madhe e stafit të Repartit të Gjinekologjisë, ka bërë që në lavatriçën e çarçafëve të futet një foshnje e vdekur. E njëjta u nxor copa-copa nga lavatriçja.
Babai i foshnjës mes lotësh tregoi se si neglizhenca e madhe e spitalit ka tronditur familjen e tij.
Baba i foshnjës thotë se dyshimet nga ana e tij lindën sapo pa që Spitali refuzoi ta lirojë trupin e pajetë të foshnjës. Çdo gjë pas këtij momenti, ka thelluar tragjedinë.
Babai nuk ka ndalur për asnjë çast përpjekjet për të marrë vesh të vërtetën rreth foshnjës së tij të vdekur. Por, e vërteta që mori ishte përtej asaj që ai kishte imagjinuar ndonjëherë. Ai me sytë e tij pa copëzat e mbetura nga trupi i pajetë i foshnjës së tij, pasi mes çarçafësh u nxor nga lavatriçja e Spitalit.