“Fshesa” e Speciales nuk ndalet – Arrestohen edhe dy figura të rëndësishme të Kosovës

“Fshesa” e Speciales nuk ndalet – Arrestohen edhe dy figura të rëndësishme të Kosovës

Para pak çastesh u raportua se Gjykata Speciale ka arrestuar ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilajn, lajm ky që u konfirmua edhe nga djali i tij, Blendi.

Mirëpo arrestimet e kësaj gjykate duket se nuk kanë përfunduar me kaq.

Bëhet fjalë për të paktën edhe dy tjerë të arrestuar.

Ish-shefi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, raportohet të jetë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Siç shkruhet në media, arrestimi i Smakaj ka ndodhur mëngjesin e së enjtes.

Ndërkaq bëhet e ditur se edhe Fadil Fazliu është arrestuar nga hetuesit e EULEX-it me urdhër të Dhomave të Specializuara të Hagës.

Lajmin e ka bërë të ditur i biri i tij, Fahri Fazliu, nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’. E për një gjë të tillë ka shkruar edhe kreu i OVL-UÇK’së, Faton Klinaku.

“Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë. Në media u dha lajmi për arrestimin e Isni Kilajt e Bashkim Smakajt, por sipas informatave që po më vijnë është arrestuar edhe Fadil Fazliu, vëllai i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu”, ka shkruar Klinaku në ‘Facebook’.

Gazeta Enigma i ka dërguar pyetje Gjykatës Speciale lidhur me këto arrestime dhe është në pritje të përgjigjjeve. /Gazeta Enigma

Related Articles