Zjarri ka kapluar rajonin e Bjeshkëve të Rugovës dhe si pasojë e temperaturave të larta nuk po arrin të mbahet nën kontroll.
FSK ka evakuuar banorët nga pjesët ku zjarri ka arritur shumë afër shtëpive të banimit dhe po u rrezikon jetën atyre.
Banorët e kësaj treve kanë tregua se, FSK, së bashku me Policinë e Kosovës dhe me pjesëtarët amerikanë të KFOR-it, kanë larguar banorët e disa pjesëve të Rugovës ku zjarri i është afruar shumë shtëpive të banimit. Ata janë nisur drejt qytetit të Pejës.
Vatra të zjarrit janë hapur në zonën e Rugovës, ndërsa sipas banorëve atje, këtë herë flakët janë në afërsi të shtëpive. Express ka tentuar të marrë informacione edhe nga policia për situatën me zjarret në Rugovë, por nuk janë përgjigjur.
Ndërkohë kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka bërë thirrje që vetëm personat zyrtarë të vizitojnë zonat ku zjarri nuk ka mundur të vihet nën kontroll.