Gara për Gjilanin ka mbaruar, por jo edhe akuzat

Gara për Gjilanin ka mbaruar, por jo edhe akuzat

Alban Hyseni do ta kishte të pamundur ta fitonte Gjilanin, sikur të mos të bënte aleanca të fshehta, thotë Lutfi Haziri, i cili befasisht u mposht në garën e balotazhit të së dielës.

Haziri ka edhe emra për bashkëpunëtorët jo zyrtarë të Hysenit. Një nga ta, ish rivali i vjetër politik i tij, Qemajl Mustafa.

“Ka qenë aleat prej fillimit me ish-kryetarin e Gjlanit, Qemajl Mustafën, natyrisht që i ka ndihmuar për t’i fituar zgjedhjet”, tha Haziri për Albanian Post.

Përkundër humbjes, Haziri thotë se nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga politika.

“Natyrisht që do të merren me politikë dhe do ta bëjmë një analizë pse i kemi humbur zgjedhjet”.

Por, akuzave të Hazirit me sarkazëm iu përgjigjet tashmë kryetari i ri i kësaj komune, Alban Hyseni.

“Me sa di unë Mustafa e ka veç një votë, si gjithë të tjerët”, deklaroi ai për Albanian Post, kur u pyet për akuzat e paraardhësit të tij në komunë.

“Mua më ka ndihmuar vullneti i qytetarëve dhe besimi i tyre, të gjitha subjektet politike kanë qenë bashkë kundër meje”, theksoi Hyseni.

Por, e pranon që gara ka qenë e ngushtë mes tij e Hazirit.

“Është prit me qenë garë e ngushtë, por ne i kemi përmirësuar gabimet e 17 tetorit, pasi kemi targetuar vendet ku s’kemi pas shumë vota”.

“Jemi duke pritë shpalljen e rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pastaj do t’i caktojmë drejtorët e ri në komunë”, shtoi ai.

31 vjeçari shton se “tash jemi në fazën e analizave, pasi s’i kemi numrat e mjaftueshëm dhe do ta shohim mundësin e bashkëpunimit me ndonjë parti”.

Ai me LDK e PDK konsideron që s’do të mund të ketë koalicion.

“Besoj që PDK përjashtohet, me LDK nuk është e drejtë pasi i kemi pasur konkurrentë”.

Kur pyetet për rezultatet e dobëta të partisë në këto zgjedhje, Hyseni mendon që përkundrazi Vetëvendosje është rritë krahasuar me zgjedhjet e kaluara lokale.

“Sigurisht duhet të analizohen rezultatet edhe s’jam pjesë e kryesisë, por s’ka arsyeje për momentin për reforma, pasi Vetëvendosje në këto zgjedhje është rritë”.

Alban Hyseni ka marrë besimin e 21 mijë e 374 gjilanasve, duke e lënë pas kundër kandidatin e tij nga LDK, Lutfi Hazirin, për 859 vota më shumë.

Ky i fundit pas tetë vjetësh qeverisje në Gjilan u mposht nga Alban Hyseni.

Related Articles