“Ish-presidenti i Kosovës u paraqit të mërkurën si burrë shteti dhe paqe-bërës, ndërsa u bëri thirrje gjyqtarëve ndërkombëtarë ta shpallin të pafajshëm për akuza që ai i quajti të pabazuara”, shkruhet në artikullin e gazetës britanike, The Independent, transmeton Gazeta Enigma.
Prestigjiozja britanike komentoi edhe atmosferën në galerinë e vizitorëve, duke thënë se disa u afruan tek xhami që ndan sallën për ta përshëndetur me dorë Thaçin, para se të qortoheshin nga rojet e sigurisë. Në artikull përmendet edhe një burrë që fshiu lotët ndërsa Thaçi po fliste.
Në pjesën tjetër të artikullit, gazeta me bazë në Londër flet për historikun e rastit të Gjykatës Speciale kundër Thaçit dhe të tjerëve, ndërsa përmbledh edhe historikun e shtetësisë së Kosovës.
Ajo përmend kërkesën e Prokurorisë së Specializuar për dënim maksimal ndaj krerëve të UÇK-së, akuzat që rëndojnë mbi ta, kërkesën e Thaçit për verdikt të pafajësisë, deklaratat fyese të Prokurorisë ndaj dëshmitarëve ndërkombëtarë, si dhe protestën gjithëkombëtare që u mbajt ditën e Pavarësisë në mbështetje të të akuzuarve.
