Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) ka miratuar një rezolutë për themelimin e një Komisioni hetimor për vrasjen e gazetarëve në Kosovë nga viti 1998 deri më 2005.
Miratimi i kësaj rezolute ka ardhur pas propozimit nga Shoqata e Gazetarëve të Serbisë (UNS), e cila ka kërkuar që të sqarohen rrethanat, të fillojnë hetimet dhe që vrasësit e gazetarëve serbë dhe shqiptarë të dalin para drejtësisë.
Kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka thënë për Albanian Post se AGK-ja ka arritur që në momentin e fundit të ndryshojë pikën 2 të mocionit e cila thoshte se “Komisioni Ndërkombëtar hetues do të jetë përfaqësues i EFJ-së dhe të organizatave lokale të gazetarëve”.
Sipas Rexhes “aty ka mbetur vetëm që pjesë e komisionit të jenë ekspertë të fushës”.
AGK-ja ka abstenuar në votim. Për këtë qëndrim të AGK-së, Rexha ka thënë se është bërë për faktin që ky asociacion “konsideron se gazetarët nuk mund dhe nuk duhet të bëjnë punën e prokurorisë dhe drejtësisë, dhe se nuk i është dhënë kohë e mjaftueshme për të komentuar ose ndryshuar tekstin e mocionit në tërësi”.
Kryetari i AGK-së për AP ka treguar se ky asociacion avokon në vazhdimësi për “zbardhjen e vrasjeve së të gjithë gazetarëve të të gjitha etnive dhe pa marrë parasysh periudhën kur kanë ndodhur ato”, ka përfunduar Rexha.
Sipas Rexhes “Mocioni në Asamblenë e EFJ-së është përpiluar dhe dërguar nga UNS nga Serbia, dhe aty përfshihen emrat e së paku 15 gazetarëve serbë dhe shqiptarë, duke përfshirë edhe Enver Malokun e Xhemajl Mustafën”.
Ndër gazetarët që konsiderohen si të vrarë, kidnapuar apo të zhdukur janë:
Afrim Maliqi (gazeta Bujku) -u vra së bashku me Hyzri Tallën dhe Ilir Durmishin, më 2 dhjetor 1998 në një pritë të organizuar nga shërbimi sekret serb në afërsi të Qendrës së studentëve në Prishtinë.
Enver Maloku (Qendra Informative e Kosovës -QIK) – u vra në Prishtinë më 11 janar 1999 në Breg të Diellit në Prishtinë në një atentat pak metra prej banesës së tij, në sytë e gruas dhe të fëmijëve. Në komentet e kohës kur u vra, u tha me të drejtë se vrasja e Enver Malokut ishte vepër e qarqeve antishqiptare, të cilat kishin për qëllim të pengonin informimin në gjuhën shqipe, si edhe procesin për realizimin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës.
Shefki Popova (gazeta Rilindja)- u vra me 10 shtator 2000 në hyrje të banesës së tij në qytetin e Vushtrrisë nga persona ende të pa identifikuar.
Xhemajl Mustafa – është vrarë më 23 nëntor të vitit 2000 në Prishtinë. Teksa po hynte në banesën e tij në lagjen “Dardania”, ishte qëlluar me armë zjarri nga dy persona.
Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku (gazeta Bota Sot)- u vranë në tetor të vitit 2001 nga një breshëri automatiku. Ndërsa në këtë atentat mbeti i plagosur Gani Geci.
Gjithashtu, gazetar dhe punonjës të mediave të tjerë, të vrarë apo të zhdukur janë:
Krist Gegaj (Radio Televizioni i Prishtinës – RTP), Shaban Hoti (televizioni rus) Marjan Melonashi (Radio Prishtina, i zhdukur), Gjuro Sllavuj (Radio Prishtina, i zhdukur më 1998), Ranko Pereniq (Radio Prishtina, i zhdukur më 1998), Lubomir Knezeviq (gazetar nga Jedistvo, i zhdukur në maj të vitit 1999), Millo Buleviq (gazetar i pavarur, i zhdukur) Aleksandar Simoviq, (Radio Kosova, i zhdukur në gusht të vitit 1999 – gjurmët e tij janë gjetur një vit më vonë), Momir Stokusha (fotoreporter, i vrarë në shtator, 1999 në Prishtinë).
Nga marsi i vitit 2017, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi ka caktuar një prokuror-koordinator për rastet e kanosjeve apo veprave tjera penale që kryhen ndaj gazetarëve.
Sipas Kryeprokurorisë së Shtetit, edhe sa i përket rasteve të vrasjeve apo zhdukjes së gazetarëve në periudhën e luftës, prokuroritë po punojnë në vazhdimësi në zbardhjen e atyre rasteve.
Gjithashtu, gazetar dhe punonjës të mediave të tjerë, të vrarë apo të zhdukur janë:
Krist Gegaj (Radio Televizioni i Prishtinës – RTP), Shaban Hoti (televizioni rus) Marjan Melonashi (Radio Prishtina, i zhdukur), Gjuro Sllavuj (Radio Prishtina, i zhdukur më 1998), Ranko Pereniq (Radio Prishtina, i zhdukur më 1998), Lubomir Knezeviq (gazetar nga Jedistvo, i zhdukur në maj të vitit 1999), Millo Buleviq (gazetar i pavarur, i zhdukur) Aleksandar Simoviq, (Radio Kosova, i zhdukur në gusht të vitit 1999 – gjurmët e tij janë gjetur një vit më vonë), Momir Stokusha (fotoreporter, i vrarë në shtator, 1999 në Prishtinë).
Nga marsi i vitit 2017, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi ka caktuar një prokuror-koordinator për rastet e kanosjeve apo veprave tjera penale që kryhen ndaj gazetarëve.
Sipas Kryeprokurorisë së Shtetit, edhe sa i përket rasteve të vrasjeve apo zhdukjes së gazetarëve në periudhën e luftës, prokuroritë po punojnë në vazhdimësi në zbardhjen e atyre rasteve./Gazeta Enigma/