Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se Rusia është kërcënim për rajonin tonë nëpërmjet Serbisë teksa ka kërkuar mesazhe të qarta nga Bashkimi Evropian dhe aleatët tjerë për këtë çështje.
Gërvalla-Schwarz, në një intervistë për një medium estonez, ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, ku tha se Serbia nuk është palë e përkushtuar.
“Është e nevojshme të arrihet normalizimi i marrëdhënieve, bëhet fjalë për njohje reciproke dhe mund të ndodhë. Por dialogu kërkon dy palë të interesuara dhe për momentin ndjej se Serbia nuk është shumë e përkushtuar ndaj tij”.
“Një dialog i suksesshëm nuk mund të zhvillohet nëse fqinji ynë na kërcënon dhe sjell ushtrinë e tij në kufirin tonë. Derisa Kosova merr pjesë në stërvitjet ushtarake me vendet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, Serbia ka pasur më shumë se 100 stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë deri në vitin 2021. Ne i kuptojmë këto mesazhe dhe e dimë se Rusia është një kërcënim për rajonin tonë përmes Serbisë dhe kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për mesazhe të qarta nga Bashkimi Evropian dhe aleatët e tjerë” tha Gërvalla-Schwarz.
Mes tjerash, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u shpreh optimiste.
“Ne e dimë se negociatat e Brukselit përballen me shumë sfida, por jemi të bindur se delegacioni ynë do të arrijë rezultate të mira atje nëse Serbia vërtet fillon t’i marrë gjërat seriozisht”, tha ajo.