Trajneri i ri i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse, në shoqëri të kryetarit të FFK-së, Agim Ademit dhe nënkryetarit Bekir Burrit ka vizituar Kampion Edukativ Nacional në Hajvali, stadiumin “Fadil Vokrri” dhe selinë e FFK-së, shkruan Gazeta Enigma.
Gjatë këtyre vizitave Giresse është njoftuar nga presidenti Ademi me punimet e kryera dhe ato që do të vazhdojnë të kryhen në të ardhmen, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të volitshme për ekipet kombëtare.
Ai është shprehur i lumtur me atë çfarë ka parë dhe ka përgëzuar drejtuesit e FFK-së që për një kohë kaq të shkurtër pas anëtarësimit në UEFA e FIFA kanë arritur në një nivel të tillë të infrastrukturës.
Po ashtu, Giresse së bashku me presidentin Ademi kanë bërë homazhe edhe tek shtatorja e legjendës, Fadil Vokrri, për të cilin përzgjedhësi i ri i Kombëtares së Kosovës ka thënë se ka pasur një lidhje shumë të fortë miqësore./GazetaEnigma/