Një person i moshës 27-vjeçare është gjendur i varur në tarracën e një hoteli në Gjakovë, raporton Gazeta Enigma.
Lajmin për Gazetën ENIGMA e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Gjakovë, Nysret Xhurkaj i cili ka thënë se sot Policia e Kosovës është informuar sot rreth orës 14:00 për rastin.
“Patrulla policore ka shkuar në lokacion dhe ka takuar punëtorin në hotel dhe i njëjti ka informuar se këtë person e ka pranuar mbrëmë rreth mesnatës, kurse sot ka vërejtur këtë person të varur në tarracën e hotelit”, ka njoftuar Xhurkaj për Gazetën Enigma.
Xhurkaj bëri të ditur se në vendngjarje ka dalë emergjenca dhe mjeku kujdestar të cilët kanë bërë konstatimin e vdekjes së 27 vjeçarit.
Ai shtoi se në lidhje me rastin është informuar edhe prokurori kujdestar i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Pas procedimit të vendit të ngjarjes trupi i viktimës është ekzaminuar dhe tërhequr nga ekipi i mjekësisë ligjore, ku me urdhër të prokurorit viktima është dërguar ne Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi”, ka informuar Xhurkaj.
Sipas Xhurkajt, viktima në fjalë është shqiptar nga Kosova me shtetësi amerikane, ndërkaq hetimet për rastin vijojnë./GazetaEnigma/