Që nga viti 2018 ekzekutivi kosovar s’e ka marrë guximin të aplikoj për anëtarësim me të drejta të plota në organizatën ndërkombëtare për siguri, INTERPOL, shkruan Gazeta “Enigma”.
Madje ende s’është parë ndonjë hap konkret nga Qeveria e Kosovës për aplikim në këtë organizatë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjatë vitit 2021 në një paraqitje publike kishte deklaruar se Kosova nuk do të aplikojë për anëtarësim në këtë organizatë ndërqeveritare me arsyetimin se “ka mungesë të përgatitjeve serioze nga institucionet e Kosovës”.
Tutje ai kishte njoftuar se Kosova do t’i dorëzojë dokumentacionet e duhura për aplikim në INTERPOL gjatë vitit 2022.
“Unë, qysh më herët, kam marrë vendim që në sesionin e këtij viti ne nuk do të aplikojmë për anëtarësim në INTERPOL, duke parë mungesën e përgatitjeve serioze nga institucionet e Kosovës. Tashmë kemi krijuar grupin punues, i cili do të përgatisë të gjithë dokumentacionin, por edhe do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që anëtarësimi i Kosovës në vitin e ardhshëm të jetë i sigurt”, kishte deklaruar Sveçla në vitin 2021.
Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.
Se a pritet që aplikimi të ndodhë këtë vit, Gazeta “Enigma” ka pyetur Qeverinë e Kosovës, por që të njëjtit nuk i janë përgjigur interesimit të gazetës, deri në publikimit e këtij artikulli.
Ish-koordinatori për dialog, Skender Hyseni, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se nga kjo Qeveri nuk sheh asgjë konkrete në lidhje me pranimin e Kosovës në INTERPOL.
“Nuk mund të spekulojë për deklaratat mashtruese që i jep kjo Qeveri. Deri sa nuk shohë asgjë konkrete skam si të komentoj”, tha Hyseni për “Enigmën”.
Kurse, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi ka theksuar se Kosovës për aplikim në Interpol i duhet dy të tretat e asamblesë së përgjithshme të Interpolit.
“Nga viti 2018 Kosova abstenoj për aplikim në mungesë të lobimit të pamjaftueshëm në proces ku duhen dy të tretat e asamblesë së përgjithshme të Interpolit. Qeveria në momentin e fundit bëri tërheqjen dhe ky avaz vazhdon duke ngecur në mos angazhim në plotësimin e aplikacionit por njëkohësisht edhe në lobimin e dosjes për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare policore”, ka potencuar Ibishi për “Enigmën”.
Sipas tij mos anëtarësimi në INTERPOL i shkakton probleme Policisë së Kosovës.
“Kosovës i sjell shumë probleme në kuptimin se edhe pse kemi qasje në INTERPOL përmes zyrës së UNMIK-ut, por ai është një proces i ngadaltë dhe nuk tregon subjektivitetin e duhur të Kosovës”, tha ai.
Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL nuk merret me seriozitet nga kjo Qeveri, sipas Ibishit.
“Nuk merret me seriozitet qasja për anëtarësim të Kosovës në Interpol nga kjo Qeveri, nga Ministria e punëve të Brendshme, nga Ministria e Punëve të Jashtme, pastaj nga Ambasadat, dhe padyshim edhe mungesa e koordinimit me partnerët tonë strategjikë. E vërteta qëndron se ne nuk dimë se si të lobojmë që të bëhemi anëtare e kësaj organizate ndërkombëtare policore”, ka përfunduar ai”, ka deklaruar Ibishi.
Sipas tij Serbia insiston që Kosova mos të pranohet në këtë organizatë me pretendimin se Policia e Kosovës ka përgatitur deri në 50 mijë dosje për krime lufte.
“Serbia ka ngritur dyshime se nëse Kosova pranohet në këtë organizatë ndërkombëtare që Policia e Kosovës ka përgatitur diku deri në 50 mijë dosje për krimet e luftës. Për këtë arsye Serbia insiston që të mos pranohet Kosova dhe bënë propagandë duke shfrytëzuar Rusinë, Bjellorusinë, Iranin, Koren, Indin dhe shumë vende tjera që nuk na kanë njohur”, ka theksuar Ibishi.
Kujtojmë se INTERPOLI është organizata më e madhe e policisë globale, e përbërë nga 194 vende anëtare.
/GAZETA ENIGMA/