Gjenerali amerikan, Wesley Clark qëndroi të martën për vizitë në Kosovë.
Ardhja e tij, e paparalajmëruar, qe për një temë jashtë natyrës që zakonisht e sjellë ushtarakun në pension në Kosovë. Jo për siguri, por çështjet e energjisë qenë temat e takimit mes Clark, kryeministrit Albin Kurti, zv/kryeministres Emilia Rexhepi dhe ministres së ekonomisë Artane Rizvanolli.
“Ne folëm për zhvillimin e energjisë këtu, për Kosovën. Ne duam të sjellim panele solare në Kosovë. Pra diskutuam vetëm se sa shpejt mund ta sjellim energjinë e pastër diellore këtu, e dimë se është koha që të gjitha vendet në Evropën Juglindore të shmangen nga emetimi i karbonit dhe të përdorin energjinë diellore sa më shumë që munden”, – tregoi Clark pas takimit.
Investimet si këto tha se janë siguria më e mirë për Kosovën. Por edhe prania e Aleancës që dikur e udhëhoqi.
“Si gjithmonë, kur ka ngritje tensionesh pas asaj që bën Rusia ka një efekt prapaveprues në rajon, prandaj mendoj se është e rëndësishme se Qeveria ti kushtojë vëmendje situatës me sigurinë në Kosovë, por prandaj e kemi KFOR-in këtu, ju e keni prezencën e NATO-s dhe e di me siguri se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punojnë, ambasadori amerikan këtu është vërtetë njeri i mirë dhe po merret me këtë”.
Gjenerali bëri të ditur se nuk ka marrë ndonjë pozicion si këshilltar i jashtëm a special.
“Unë nuk jam këshilltar special, jam thjeshtë një mik. Unë mund ta këshilloj këdo, ky nuk është ndonjë emërim i veçantë. Por unë do ta takoj ministrin, ai është një mik dhe i mjafton të më thotë “Përshëndetje” dhe të më tregojë se si po shkojnë gjërat”.
Megjithatë i shkoi në konak ministrit që verën e shkuar e prezantoi si të tillë, për të folur për çështje të sigurisë e mbrojtjes. Në shoqërinë e ministrit Armend Mehaj u pa mjaft i lumtur.
Vizita e Wesley Clark ngjanë në një kohë kur Kosova si asnjëherë më parë synon anëtarësimin në NATO.
“Mendoj se NATO duhet ta mirëpres Kosovën si anëtare. Kjo është gjithë çfarë mund të them tani”./Gazeta Enigma/