Gjermania ka lehtësuar për një kategori personash, procesin e bashkimit familjar. Ky lehtësim ka të bëjë me heqjen e testit të mësimit të gjuhës gjermane.
Kështu, nga 1 janari i vitit 2023, në Gjermani ka hyrë në fuqi vendimi sipas të cilit, bashkimi familjar, mund të bëhet pa testet paraprake të gjuhës, por vetëm në rastet kur të punësuar në shtetin gjerman janë personat e punësuar me kualifikime.
Kjo do të thotë se testi për bashkim familjar nuk u kërkohet atyre që kanë të punësuar në Gjermani, familjarin i cili atje është me një diplomë të njohur.
Bahri Cani, gazetar nga Deutsche Welle, në një deklarim të drejtpërdrejtë për programin e mëngjesit në RTK, sqaroi se në këtë rast, duhet bërë dallimi se heqja e këtij detyrimi për të mësuar gjuhën, nuk ka të bëjë me ata që shkojnë në Gjermani, bazuar në Rregulloren për Punësim për vendet e Ballkanit Perëndimor.