Gjilani ka fituar me rikthim 2-1 ndaj Llapit në ndeshjen e vlefshme për javën e 10-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll.
Ndeshja e zhvilluar në Gjilan mes ‘Skifterave’ dhe ‘Legjendave’ ka dhuruar spektakël për tifozët, me shumë raste shënimi, shtylla dhe shumëçka tjetër.
Pjesa e parë u karakterizua me lojë thuajse të barabartë, por me vendasit që patën më shumë nga loja dhe mysafirët që shënuan golin e vetëm.
Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 44-të të ndeshjes, kur Ardit Tahiri shënoi me kokë pas asistimit të Arbnor Ramadanit dhe ekipet shkuan në pushim me epërsi 0-1 të Llapit.
Në pjesën e dytë, Gjilani u hodh i gjithi në sulm duke rrezikuar vazhdimisht dhe krijuar raste, por portieri Vokli Laroshi ia pamundësoi disa herë me pritjet e tij, ndërsa në ndihmë i doli edhe traversa e cila u godit dy herë nga Senad Jarovic.
Megjithatë, në fund të ndeshjes Gjilanit iu kthye fati dhe rastet e shumta filluan të konkretizohen duke shënuar dy gola të shpejt.
Fillimisht ishte i inkuadruari Blerind Morina (85’), i cili shënoi një gol të bukur nga distanca për barazimin 1-1, ndërsa Robert Rrahmani (86’) shfrytëzoi një top të kthyer nga portieri Laroshi për të shënuar për epërsinë 2-1 dhe ky doli të ishte goli i fitores dhe rezultatit përfundimtar.
Pas kësaj fitore, Gjilani e sheh veten në pozitën e tetë me 12 pikë, ndërsa Llapi renditet i pesti me 14 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, gjilanasit luajnë në udhëtim te Ballkani, teksa llapjanët e presin Feronikelin ’74.