Drejtuesit e KOK-ut(Kosovo Olimpic Committee), presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, kanë pritur sot kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Gjatë këtij takimi, palët kanë diskutuar për ndërtimin e palestrës së karatesë në qytetin e Gjilanit, për të cilën është pajtuar edhe kryetari Hyseni.
“Pikërisht karateja është njëri prej sporteve më të suksesshme në Gjilan. Betim Maliqi e Elhami Shabani, medalist evropian, si dhe Fortesa Orana e Vlera Qerimi, që po ashtu kanë medalje evropiane, por në ekiopre, vijnë pikërisht nga ky qytet”, thuhet në komunikatë.
Presidenti Krasniqi, i shprehu kryetarit Hyseni vullnetin dhe gatishmërinë e KOK-ut për bashkëpunim në këtë projekt, por edhe në projekte tjera në interes të zhvillimit të sportit.
Ndërsa kryetari Hyseni shprehu përkushtimin e tij dhe të komunës për ndërtimin e kësaj palestre, që do të ndikojë dukshëm në rritjen e cilësisë dhe masivizimit të këtij sporti në Gjilan, dhe jo vetëm.
Një temë tjetër e diskutimit ishin edhe Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, ku Gjilani është një prej komunave përfituese, në të cilën pritet të zhvillohen garat.