Stadiumi i Qytetit të Gjilanit, dikur një fortesë sportive me kapacitet prej 15,000 vendesh, sot është shndërruar në një simbol të premtimeve të thyera dhe menaxhimit të dobët, shkruan Gazeta “Enigma”.
Nga rinovimet e nisura në 2017 e deri te pezullimi i fundit i tenderit më 2 prill 2025, ky objekt ka qenë arenë e vonesave, ankesave të operatorëve dhe vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).
Mes akuzave për nepotizëm dhe falsifikim, qytetarët presin ende ditën kur stadiumi do të ringjallet.
I ndërtuar në 1967, Stadiumi i Gjilanit ka shërbyer si shtëpi për klubet që garojnë në elitën e futbollit kosovar, SC Gjilani dhe KF Drita, me një fushë që dikur rivalizonte standardet e ish-Jugosllavisë.
Pas luftës së Kosovës, ai humbi shkëlqimin: fusha ndihmëse u zhduk, shkallët e betonit u braktisën pa ulëse dhe ndriçimi për ndeshjet e natës mbeti një ëndërr e largët.
Neglizhenca e shndërroi atë në një “fole narkomanësh”, ku fëmijët luajnë mes rrezikut dhe tifozët ëndërrojnë një rikthim që duket gjithnjë e më i largët.
Renovimet nisën në 2017 me premtime për përfundim brenda tre vjetësh, por deri në 2020, vetëm 20% e punimeve ishin kryer. Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) raportoi vonesa prej 4 deri në 7 vjet, të shkaktuara nga mosplanifikimi dhe ndryshimet kontraktuale të paligjshme, duke i kushtuar Komunës së Gjilanit 219,680 euro shtesë.
Procesi i prokurimit për stadiumin ka qenë një fushëbetejë e vazhdueshme.
Më 15 maj të vitit 2020 ishte nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes Komunës së Gjilanit dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndërtimin e stadiumit të qytetit.
Një tender kryesor prej 15 milionë eurosh, fillimisht i menaxhuar nga Komuna e Gjilanit dhe më pas nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), u bë qendër e polemikave.
Tenderi u rrëzua nga OShP më 18 qershor 2024, pas ankesës së “Euro Construction”.
Eksperti i Organit Shqyrtues të Prokurimit pati rekomanduar që të anulohet plotësisht tenderi për renovimin e stadiumit të Gjilanit.
Kjo për shkak se në ekspertizën e OSHP-së është theksuar fakti që tenderi iu dha një grupi të operatorëve që ofertuan me çmimin më të shtrenjtë.
Komuna e Gjilanit në krye me Alban Hysenin, më 31 maj i pati dhënë tenderin për renovimin e stadiumit të Gjilanit grupit të operatorëve ekonomikë “Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”, për renovimin e stadiumit.
Vendimi, i cili e cilësoi ankesën pjesërisht të bazuar, urdhëroi anulimin dhe ritenderimin, duke i dhënë komunës 10 ditë afat për raportim.
Më 2 prill 2025, tenderi i fundit (nr. 207-24-8996-5-1-1 dhe 207-24-079-5-1-1) u pezullua pas dy ankesave të reja. Synimi për të përmbushur Kategorinë IV të UEFA-s – me rregullime hapësinore, arkitekturore dhe inxhinierike – mbetet në pritje, nën shqyrtimin e OShP-së sipas Nenit 108/A të Ligjit për Prokurimin Publik.
Në dy ankesat e reja, kompanitë Raf II Sh.P.K, dhe CONEX L.L.C, ankohen se janë eliminuar nga tenderi padrejtësisht.
Në ankesën e paraqitur nga Raf II Sh.P.K, e cila kishte garuar për tenderin e ri për renovimin e Stadiumit thuhet se “mënyra e ofertimit nga ana jonë është e rregullt dhe ne nuk duhet të pësojmë shkaku i problemeve teknike që nuk varen nga ne”.
Në ankesën e dytë, e cila është bërë CONEX L.L.C, është thënë se arsyeja e eliminimit të tyre është bërë me një arsyetim shumë të pabazuar dhe jo të arsyeshëm.
Organi shqyrtues i Prokurimit (OShP), i ka vlerësuar si të bazuara ankesat e dy kompanive dhe kështu e ka kthyer lëndën në rivlerësim.
Vonesat në tenderimin dhe fillimin e punimeve në stadiumin e Gjilanit, ka shkaktuar paknaqësi të madhe tek banorët e kësaj komune, të cilët kanë kohë që kërkojnë të kenë një stadium funksional.
Si Drita ashtu edhe Gjilani, në mungësë të stadiumit, ndeshjet në Superligën e Kosovës në futboll, po i luajnë në stadiumin me bari sintetik, ku kapacitetet për të përcjellur ndeshjet e këtyre dy ekipeve që gëzojnë tifozëri të madhe, janë shumë të vogla.
Se kur do “rehatohet” Gjilani me stadiumin e qytetit, mbetet të shihet. /Gazeta Enigma/