Kombëtarja shqiptare është grumbulluar që prej ditës së diel në Varshavë, ku ka nisur përgatitjet për ndeshjen e katërt kualifikuese ndaj Polonisë, e vlefshme për Kampionatin Botëror “Katar 2022”.
Ndërkohë që pritet të kompletohet i gjithë grupi, në një konferencë zyrtare për mediat kanë dalë dy futbollistët kuqezi, Berat Gjimshiti dhe Klaus Gjasula, të cilët kanë folur për ndeshjen ndaj polakëve, por edhe për dy sfidat e tjera ndaj Hungarisë dhe San Marinos që do të zhvillohen në Shqipëri.
Mbrojtësi i talentuar kuqezi, pjesë e skuadrës së Atalantës në Serinë A në Itali është shprehur se Kombëtarja shqiptare ka bërë hapa pozitivë përpara dhe në Poloni skuadra do të japë maksimumin, pavarësisht emrave të mëdhenj që kanë përballë.
Gjithashtu Gjimshiti foli edhe për dy ndeshjet e tjera që do të luhen në Shqipëri ndaj Hungarisë dhe San Marinos, ku tha se ndihet shumë i lumtur që më në fund tifozët do të rikthehen në stadiume. Në aspektin përsonal, mbrojtësi theksoi se kërkon të përmirësohet sa më shumë.
Rikthimi në Kombëtare – Ka qenë një sezon shumë i gjatë, sidomos për mua personalisht. Kemi pasur shumë ndeshje dhe me klubin dhe me Kombëtaren. Me Shqipërinë kemi bërë hapa përpara, pozitive. Besoj që në këto tre ndeshje që janë shumë të rëndësishme për ne, do të shikojmë si do të dalim dhe do të japim maksimumin të marrim sa më shumë pikë.
Mundësi për të marrë rezultati pozitiv në Poloni? – Sigurisht që po. Besoj, pasi siç e thashë edhe më sipër, kemi bërë hapa pozitivë. Duhet të kemi respekt, pasi ka një skuadër shumë të mirë, me lojtarë që luajnë në klubet më të mira në botë. Por duhet të shikojmë veten, si do luajmë ne dhe do të japim maksimumin për të fituar ndeshjen.
Sulmuesi Levandowski? – Po të shikosh Bayernin, mund të shikosh edhe një Levandoëski në super formë, me shumë gola dhe siç e thatë edhe ju, është sulmuesi më i mirë në këtë moment, sigurisht, sipas golave dhe do jetë një duel shumë i bukur dhe do jap maksimumin tim.
Frikë ndaj kundërshtarit? – Në qoftë se frikësohesh, do të thotë se je gabim në këtë punë. Besoj siç e thatë, të gjithë lojtarët kanë marrë eksperiencat dhe kur të luash kundër një kundërshtari të këtij niveli shumë të lartë, besoj që do të rrisë edhe personalitetin dhe vetëbesimin, që rritet me sa më shumë ndeshje që luan dhe sa shumë gjëra merr me vete në karrierën tënde. Besoj që i gjithë ekipi ka një eksperiencë shumë më të mirë seç e ka pasur më herët.
Ndeshjet ndaj Hungarisë dhe San Marinos? – Çdo fitore të jep motivim më të madh. Për tifozët jam shumë i lumtur që do të kthehen sepse na kanë munguar. E shoh edhe në Serinë A se është më bukur të luash me tifozë dhe jam i lumtur që janë rikthyer.
Në mesfushën kuqezi rikthehet Klaus Gjasula, i cili në prononcimin e tij përpara mediave shprehet se është gjithmonë gati për Kombëtaren. Gjasula theksoi se ekipi ka treguar në ndeshjet e fundit një rritje, si dhe u shpreh se pavarësisht kundërshtarit që do të luajnë, do të japin maksimumin, pasi është një ndeshje e rëndësishme.
Edhe për Klausin, rikthimi i tifozëve në stadiume është një lajm i gëzueshëm, teksa foli edhe për të ardhmen e tij me Darmstad, ekipi ku u transferua pak javë më parë.
Gati për tre ndeshjet e radhës me Kombëtaren? – Ndihem gjithmonë gati për të luajtur me Kombëtaren. Për mua është e rëndësishme tani që të bëj prapë minuta në fushë, sepse më ka munguar. Prandaj bëra këtë hap, te një klub pak më i vogël, për të luajtur dhe për të qenë gati për Kombëtaren.