Kurti në forumin virtual të Alpbachut: BE-ja ta bëjë zgjerimin më të drejtë dhe të ndershëm

Kurti në forumin virtual të Alpbachut: BE-ja ta bëjë zgjerimin më të drejtë dhe të ndershëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim në formë virtuale në Forumin Evropian Albach, të mbajtur në Austri.

Kurti të dielën anuloi vizitën për në Austri shkaku i gjendjes me pandeminë.

Kurti në panelin ku ishin edhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirooslav Lajçak, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe drejtoresha e Institutit GOLBSEC, Alena Kudzko, përmendi 5 gjëra që BE-ja duhet të qartësojë në raport me Ballkanin Perëndimor. Ai hapi fjalimin duke u përqëndruar në rëndësinë e çështjes së personave të zhdukur.

“Dhe sidomos në ditë si këto, duhet t’ia kujtojmë vetes dhe aleatëve tanë se vetëm duke u ballafaquar me të kaluarën mund të ecim siç duhet drejt së nesërmes. Nuk ka rrugë tjetër”, tha ai.

Duke folur për temën e ngritur në panel, kryeministri Kurti tha se beson që BE-ja i ka fituar prej kohësh zemrat dhe mendjet e të gjitha vendeve dhe popujve të Ballkanit Perëndimor dhe kjo, siç tha ai, mund të shihet në garën midis vendeve të BP6 për të hyrë në BE, si dhe zhgënjimin me të cilin përballen kur nuk arrijnë të kalojnë në fazën e radhës në procesin e integrimit.

Për sa i përket kushtëzimit, kryeministri Kurti tha se BE-ja duhet të veprojë në mënyrë më etike dhe më të drejtë.

“Politika e shkopinjve dhe karotave nuk ka qenë shumë frytdhënëse për Kosovën pasi kemi marrë shumë shkopinj, por jo shumë karota. Ka kaluar më shumë se një dekadë që kur të gjithë anëtarët e BP6 kanë marrë liberalizimin e vizave, ndërsa Kosova është ende duke pritur, e izoluar si në një geto, imazh i cili sjell shumë turp në të dy palët”, tha ai.

Pamundësia për t’i hequr kufizimet e vizave për Kosovën dhe për t’i hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sipas Kurtit, po shfaq gjithashtu nevojën për të reformuar jo vetëm politikën e zgjerimit, por edhe sistemin e vendimmarrjes së BE-së.

Kryeministri Kurti tha se BE-ja duhet t’i qartësojë 5 gjëra në raport me Ballkanin Perëndimor:

– Së pari, ta krijojë një momentum të ri për reformat dhe ta bëjë zgjerimin më të drejtë dhe më të ndershëm. Për këtë synim edhe ne duhet të avancojmë në një marrëveshje të re rajonale të cilën kohët e fundit ne e quajtëm SEFTA dhe e cila do të modelohej në EFTA-EEA. Kjo marrëveshje e re do të rriste integrimin dhe bashkëpunimin ekonomik dhe do t’i hiqte barrierat midis vendeve të BP6 dhe midis BP6 dhe BE-së, duke e sjellë kështu rajonin më afër zonës së tregut të vetëm të BE-së dhe anëtarësimit të plotë. Diçka nga e cila përfitojnë të gjithë.

– Së dyti, ta rrisë financimin. IPA 3 është premtues, por ekonomia më e madhe në planet mund të bëjë më shumë dhe duhet të bëjë më shumë. Financimi duhet të shpërndahet në mënyrë të drejtë në përputhje me nevojën e secilit vend dhe të kushtëzohet me progres real dhe kuptimplotë në demokratizim, siç është sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut dhe ato civile. Një financim i tillë do të synonte punësimin e të rinjve, arsimin dhe infrastrukturën.

– Së treti, të marrë përgjegjësi për kontinentin tonë. Kjo është detyrë vendimtare për një fuqi ekonomike. BE-ja duhet të marrë përgjegjësinë brenda kontinentit të saj në mënyrë që të projektojë fuqinë në skenën botërore. BP6 është Evropë dhe BE-ja duhet të rrisë praninë e saj dhe të mbrojë interesin e kontinentit kundër aktorëve të tretë konkurrentë që nuk ndajnë të njëjtat vlera. BE-ja duhet të mbrohet dhe të ruhet. Përfshirja e PB6 ndihmon në këtë qëllim.

– Së katërti, të rrisë sinkronizimin midis Brukselit dhe Uashingtonit. Kur janë së bashku, BE-ja dhe SHBA-ja janë një fuqi e pakrahasueshme në të gjitha aspektet. Vitet e fundit ishim dëshmitarë të dëmit që mund të shkaktohet kur Uashingtoni dhe Brukseli nuk flasin me një zë të vetëm në çështjet vendimtare. Vendet e BP6 mbështeten në Aleancën Transatlantike.

– Së pesti, ta përmbyllë ombrellën e sigurisë. Kjo do të thotë të përfshihen të gjitha vendet e BP6 në NATO.

Related Articles