Komuna e Gjakovës do të humbasë 2.4 milionë euro nga vendimi për faljen deri në 100 eurove të para të tatimit në pronë. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk vendos për pezullimin e përkohshëm të këtij ligji, pas kërkesës së Asociacionit të Komunave të Kosovës, në Gjakovë rrezikohen edhe disa projekte që janë duke u zhvilluar dhe ato që janë planifikuar të nisin.
Kryetari Ardian Gjini vlerëson se edhe vendimi për rimbursimin e librave nga Ministria e Arsimit ishte i vonshëm dhe do të sjellë probleme në fillim të vitit të ri shkollor.
I ulur në zyrën e tij në objektin e përkohshëm të Komunës së Gjakovës, kryetari Ardian Gjini, flet në një intervistë për KosovaPress në lidhje me vendimin e fundit për faljen e tatimit në pronë. Sipas tij, në këtë çështje Qeveria ka bërë “gabim pas gabimi” dhe kjo për shkak të kokëfortësisë dhe pa asnjë konsultim me Komunat e Republikës.
Gjini thotë se janë të vetëdijshëm se duhet bërë rivlerësimi i pronave, por ka pasur mundësi që ky proces të shtyhet ndërsa me ndryshime ligjore për Financat Publike dhe ato Lokale t’u jepet hapësirë Komunave që të jenë më fleksibile në vendosjen e normave tatimore.
Kreu i Gjakovës thotë se tashmë me rivlerësim të pronave ka dallime të konsiderueshme mes zonave. Disa prej tyre paguajnë shumë, disa zona paguajnë më pak. Ndërsa faljen e tatimit e konsideron krejtësisht gabim.
“Në komunën e Gjakovës shembull ta marrim, prej 42 mijë pronave që paguajnë tatim të regjistruara, 32 mijë prona e kanë vlerën tatimore nën 100 euro. D.m.th paguajnë më pak se 100 euro. Diku vetëm dhjetë mijë prona paguajnë më shumë se 100 euro, sado që të jetë ajo vlerë. Çdo të thotë, në bazë të këtyre normave që kanë dalë, 32 mijë pronarë të pronave ju bie mos të paguajnë. Është gabim, është shumë gabim, për shkak se vendosja e kulturës së pagimit tatimit në pronë, fillimisht është jetike për ndërtimin e kulturës shtetërore në Kosovë. Edhe është vendosur në Gjakovë, shumica dërmuese e paguajnë vetë tatimin në pronë. Vlera e cila kish me na lujtë neve është 2.4 milionë euro”, deklaron Gjini.
Gjini parashikon që viti 2025 do të jetë edhe më i vështirë, pasi sipas tij, do të shkohet nga “një rënie e madhe në një ngritje të madhe” për shkak të taksës progresive të vendosur e për rrjedhojë normat tatimore për shumë shfrytëzues do të rriten më shumë.
Tjetër shqetësim për kryetarin e Gjakovës është edhe qarkorja për Komunat për vitin e ardhshëm. Sipas tij, ata janë obliguar që të mbledhin 3.3 milionë euro nga tatimi në pronë, por me ligjin tjetër për faljen e tatimit, nga kjo shumë 2.4 milionë nuk do t’i marrin dhe nuk kanë mundësi as t‘i rikuperojnë.
Mungesa e të hyrave nga tatimi në pronë që shkojnë ekskluzivisht në investime kapitale rrezikon edhe disa projekte në Gjakovë.
“Ministria e Financave na lëshon qarkoren neve për të hyrat vetanake për vitin 2024 edhe në atë qarkore, në ato dokumente që ne i marrim, e që janë zyrtare, që duhet t’i respektojmë, ne obligohemi t’i mbledhim diku 3.3 milionë euro prej tatimit në pronë. Na tregojnë duheni me i mbledh 3.3 milionë tatim në pronë. Tani ne e kemi kornizën buxhetore. I parashohim me i mbledh 3.3 milionë, e ato mjetet që vijnë prej tatimit në pronë edhe të tyre vetanake, të gjitha shkojnë në investime kapitale, nuk guxojnë të shkojnë diku tjetër. Në të njëjtën kohë, tani na vjen një ligj, në bazë të cilit na prej atij 3.3 milionëshi, 2.4 milionë vetëm i kemi të zhdukura. Nuk i marrim… Kjo na paraqet probleme tepër të mëdha edhe për projekte kapitale të cilat nuk do të kemi mundësi t’i vazhdojmë dhe t’i zhvillojmë vitin tjetër d.m.th është goxha problem”, vijon Gjini.
Gjini hedh poshtë edhe pretendimet e ministrit të Financave, Hekuran Murati, se Komunat do të gëzojnë buxhet më të lartë për vitin e ardhshëm. Sipas tij, “s’ka matematikë” që ia argumenton këto pretendime ministrit.
Në rast se Kushtetuesja nuk vendos masë të përkohshme të pezullimit të implementimit të ligjit për faljen e 100 eurove të tatimit deri në një vendim përfundimtar, atëherë Gjini thotë se janë duke kërkuar sqarime se si të kenë një zgjidhje.
“Jemi duke kërkuar sqarime se cilat janë mundësitë që me vendos nëse ky ligj mbetet në fuqi, nëse nuk ka ndonjë vendim të Gjykatës Kushtetuese për ngrirje ose pezullim të implementimit, atëherë duhet me pa mundësi a kemi mundësi me i nda zonat ne, për shkak se edhe një herë po ju them, është jashtëzakonisht gabim për të ardhmen e këtij vendi dhe të vetë qytetarëve të ketë pas diskrepanca të mëdha, të kemi bashkëqytetarë tanë të cilët nuk paguajnë fare tatim, e disa tjerë paguajnë”, tha kryetari i Gjakovës.
Një tjetër vendim i cili ka shqetësuar Gjinin është edhe ai i Ministrisë së Arsimit për rimbursimin e librave shkollorë. Kreu i Gjakovës u shpreh se një vendim i tillë duhej të kishte ardhur më herët dhe jo dhjetë ditë para se të fillojë mësimi.
“Qeveria e Kosovës është vonuar jashtëzakonisht shumë. Të gjitha procedurat edhe vendimet është dashur që të merren shumë më herët… Ka me paraqitë problem sidomos për një kategori të nxënësve, familjet e të cilave nuk qëndrojnë shumë mirë financiarisht. Po ka me paraqitë problem edhe për mësuesit, të cilët do të ballafaqohen me nxënësit të cilët do të kenë tekstet shkollore, me të tjerë të cilët nuk do t’i kenë tekstet shkollore, ka me paraqit problem. Edhe për mua është e pakuptueshme pse duhet në javën e tretë të gushtit të merret ky vendim. Sikur të kish ardhur më herët, prapëseprapë edhe prindërit ishin gjet disi, po edhe rimbursimi kish mund me ndodhë ma herët, tash po ju tregoj që gjasat janë, që shtatori do të shkojë në mënyrë goxha problematike në shkollat tona, e mos harroni që me mësim mbahet tetë muaj, një muaj është shumë, është një e teta, jam absolutisht i bindur që kemi me pas probleme sivjet, për shkak se janë vonuar, janë vonuar me çfarëdo vendimi”, deklaron Gjini.
Ai thotë se ka pasur investime në shumë shkolla të komunës dhe të gjitha pritet të jenë gati për të mirëpritur nxënësit më 1 shtator, datë kur zyrtarisht nis viti i ri shkollor 2023/24.
Përpos shkollave, Gjini thotë se në tërë territorin e komunës janë duke u zhvilluar projekte të rëndësishme. Për shkak të buxhetit, thotë se volumi i investimeve kapitale është i lartë dhe si asnjëherë më parë në histori të qytetit.
Në rast se ligji për faljen e tatimit nuk kalon testin e Kushtetueses, Gjini paralajmëron që vitin e ardhshëm Gjakova do të jetë në mesin 3 komunave me më së shumti investime kapitale.
“Për momentin projekti më i madh në të cilin punohet edhe me kosto më të madhe, që është investim i komunës është rruga që ne e quajmë dalja për Pejë, tash prej Gjykatës deri në fshatin Osek, janë dy segmente, dy llote. Në të dyja po punohet, edhe vlera e me gjithë shpronësime e kalon 7 milionëshin… Gjakova ka qenë një nga përfituesit më të mëdhenj të grantit të performancës, për shkak të performancës komunale, po punohet dalja për Rekë të Keqe dhe për Qafë Morinë, për Shqipëri… Po punohet në stadium të qytetit me investim të Komunës, po punohet në dy llote, në tribunën lindje, në tribunin jug dhe në terrenin e futbollit, edhe këto punë parashihet komplet të përfundojnë deri në qershor të vitit të ardhshëm. Kemi nënshkruar kontratën edhe për rehabilitimin e plotë të qendrës së qytetit, e cila ka mbetur kështu që 50 vite, nuk janë ndërruar gurët e trotuarit, trotuaret, asfalti, semaforët, gjelbërimi, vazot e montuara, gjithçka do të jetë ndryshe në qendër të qytetit… Pjesa e epërme e lumit Krena, segmenti më i gjatë veç po punohet është një projekt prej 1.4 milionë euro investim i Komunës”, tha Gjini.